Prokuroria e Fierit ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjyq dy zyrtare të Bashkisë Fier dhe drejtorin e Drejtorisë Vendore të Tatimeve, Rajoni Jugor, të akuzuar për shpërdorim detyre dhe ushtrim të ndikimit të paligjshëm ndaj funksionarëve publikë.
Sipas organit të akuzës, drejtoresha e Përgjithshme e Taksave dhe Urbanistikës në Bashkinë Fier, Adela Hysenaj, ish-nënkryetare e bashkisë, nuk ka marrë masat e nevojshme për vendosjen e kasave fiskale në pikat e parkimit publik, duke lejuar shmangien e detyrimeve tatimore në vlera të konsiderueshme. Hetimet kanë zbuluar se përmes ndikimit të saj mbi drejtoritë në varësi janë kryer faturime fiktive, duke i taksuar subjekte të caktuara me vlera më të ulëta se ato reale.
Prokuroria bën me dije se në një rast Hysenaj ka ndikuar për lëshimin e një vërtetimi që deklaronte se një subjekt nuk kishte detyrime tatimore, ndonëse kishte taksa të papaguara në shuma të konsiderueshme. Nga këto veprime, sipas hetimeve, Bashkia Fier nuk ka arkëtuar mbi 400 mijë euro nga taksat e parkimit publik.
Në gjyq është dërguar edhe drejtoresha e Taksave dhe Tarifave Vendore në Bashkinë Fier, Anisa Cjapi, e cila akuzohet se ka hartuar fatura fiktive dhe ka ulur vlerat e taksave për disa subjekte, edhe përtej kufijve të miratuar nga Këshilli Bashkiak. Po ashtu, ajo dyshohet se nuk ka ndërmarrë masa për fiskalizimin e pikave të parkimit.
Ndërkohë, drejtori i Drejtorisë Vendore të Tatimeve, Rajoni Jugor, Vasil Çeku, akuzohet se ka urdhëruar inspektorët të kryejnë kontroll në një subjekt tregtar pa urdhër pune nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, si dhe nuk ka ndjekur procedurat ligjore pas kontrollit të kryer.
Prokuroria e Fierit thekson se çështja është dërguar për gjykim për veprat penale “Shpërdorim detyre” dhe “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, ndërsa nënvizon angazhimin për vënien para përgjegjësisë ligjore të çdo zyrtari që abuzon me detyrën.



