Aktivistja dhe figura publike opozitare, Adriana Kalaja, ka bërë një deklaratë të fortë përmes rrjeteve sociale, duke pretenduar se në kushtet kur, sipas saj, zgjedhjet janë të manipuluara dhe drejtësia është e kapur, shqiptarëve nuk u ka mbetur zgjidhje tjetër përveç “rrëmbyerjes së armëve”.
Kalaja e përshkruan situatën në vend si të ngjashme me pushtimet historike, duke përdorur tone ironike e historike për të krahasuar qeverinë aktuale me një “Sulltan të Surrelit”, duke iu referuar kryeministrit Edi Rama.
“Kur Sulltani i Surrelit është më i madhërishëm se vetë Ai i madhërishmi… Historia na ka treguar se Dugagjinin nuk e pushtoi dot as Perandoria Osmane, por e poshtëroi Sulltani i Surrelit”, shkruan ajo.
Në deklaratën e saj, Kalaja përmend një thënie të aktivistit amerikan për të drejtat civile, Frederick Douglass, që sipas saj, i referohet tre kutive të të drejtave: kutia e votimit, e drejtësisë dhe e fishekëve. Duke thënë se të parat janë “rrëmbyer me dhunë”, ajo lë të nënkuptohet se “kutia e tretë” – ajo e fishekëve – mbetet e vetmja zgjidhje.
“Kam vite që e them, por nuk më dëgjoni… Duhet t’i kërkojmë të drejtat tona te kutia e tretë”, shprehet Kalaja.
Deklarata e Kalase vjen në një moment tensioni politik dhe pas debateve të nxehta mbi zgjedhjet dhe funksionimin e drejtësisë. Megjithatë, nxitja për veprime të dhunshme, edhe në formë simbolike apo retorike, përbën shkelje të ligjit dhe rrezikon të përshkallëzojë retorikën politike përtej kufijve demokratikë.