Adriana Kalaja, aktiviste politike dhe ish-kandidate për deputete nga radhët e Partisë Demokratike, ka ripublikuar së fundmi në rrjetet sociale një postim të tre viteve më parë, të cilin e ka shoqëruar me kritika të forta në drejtim të Gazment Bardhit dhe Ervin Salianjit, duke i cilësuar si “plehra që i shërbejnë regjimit të Edi Ramës”.
Në postimin e ripublikuar, Kalaja shfaqet e vendosur kundër idesë së një bashkimi të demokratëve, nëse në këtë bashkim përfshihen figura të cilat, sipas saj, “kanë tradhtuar idealet e opozitës”.
“Jam pro bashkimit, por jo me plehrat, shërbëtorë të regjimit të Edvin Ramës. Këta që janë bashkë me Edvin Ramën dhe kundra demokratëve, besoni se do ngrenë zërin për të drejtat e atyre që u dhanë mandatin?”, shkruan Kalaja në postimin e saj.
Ajo risjell gjithashtu edhe datën simbolike të 8 janarit, duke iu referuar protestës së dhunshme në selinë e PD në vitin 2022, si një moment që sipas saj nuk duhet harruar nga demokratët, duke lënë të kuptohet se për të, figura si Bardhi dhe Salianji mbajnë përgjegjësi morale dhe politike për përçarjen brenda partisë.
Ky reagim vjen në një kohë kur në kampin opozitar flitet gjithnjë e më shumë për nevojën e bashkimit, ndërsa tensionet e brendshme dhe kujtimet nga përplasjet e viteve të fundit vijojnë të ndikojnë në diskursin politik.