Prokuroria e Posaçme (SPAK) ka përfunduar hetimet dhe ka dorëzuar konkluzionet për ish-sekretarin e Përgjithshëm të Ministrisë së Mjedisit, Alqi Bllako, në lidhje me aferën e inceneratorit të Tiranës.
Prokurori Dritan Prençi ka kërkuar që Bllako të shpallet fajtor për korrupsion pasiv në dy raste dhe të dënohet me 5 vite burg. Duke qenë se i pandehuri ka zgjedhur gjykimin e shkurtuar, dënimi mund të reduktohet në 3.4 vite burg.
Gjithashtu, SPAK ka kërkuar që ish-zyrtari të pezullohet nga ushtrimi i funksioneve publike për 5 vite.
Sipas prokurorit të çështjes, nuk ekziston asnjë vendim tjetër i formës së prerë nga Gjykata e Durrësit që lidhet me lirinë me kusht të Bllakos për rastet e mëparshme.
Rasti pritet të kalojë për shqyrtim në gjykatë, ku do të vendoset përfundimisht mbi kërkesat e Prokurorisë.
Rigjykim pas vendimit të Apelit të GJKKO-së
Ky është rasti i dytë që Alqi Bllako përballet me një pretencë për inceneratorin e Tiranës, pasi Apeli i GJKKO-së e riktheu çështjen për rigjykim në shkallën e parë.
Në vendimin fillestar, i cili u prish nga Apeli, Bllako ishte dënuar me 4 vite burg, të cilat u ulën në 2.8 vite për shkak të gjykimit të shkurtuar.
Bllako: Nuk kam pasur asnjë rol në koncesion, akuzat janë të pabazuara
Në fjalën e tij para trupit gjykues, Bllako mohoi akuzat për korrupsion dhe deklaroi se nuk ka pasur asnjë rol vendimmarrës në procesin e dhënies së koncesionit për inceneratorin e Tiranës.
“Sekretari i Përgjithshëm nuk ka rol në përcaktimin e kontratës së koncesionit; këtë të drejtë e kanë vetëm anëtarët e komisionit të koncesionit. Akuzat për korrupsion pasiv janë ngritur ndaj meje pa asnjë analizë të saktë. Kur u shpall fituesi i koncesionit, unë nuk isha më në detyrë si Sekretar i Përgjithshëm,” – tha Bllako.
Ai shtoi se nuk ka pasur lidhje me personat e përfshirë në çështje dhe kërkoi që gjykata të marrë parasysh gjendjen e tij familjare.
Mbrojtja: Nuk ka pasur rol vendimmarrës, vetëm përcjellje shkresash
Avokatët e Bllakos argumentuan se klienti i tyre nuk ka pasur asnjë ndikim në procesin e koncesionit dhe se roli i tij ka qenë thjesht administrativ.
“Në procedurën për inceneratorin e Tiranës janë zhvilluar 15 mbledhje dhe janë përpiluar 16 procesverbale. Emri i Alqi Bllakos nuk figuron në asnjë prej tyre. Ai ka përcjellë vetëm tre shkresa administrative, ndërsa vendimmarrjet janë marrë nga ministri dhe anëtarët e komisionit të koncesionit,” – deklaroi pala mbrojtëse.
Mbrojtja e krahasoi rolin e tij me “një kancelar gjykate që përcjell vendimet, pa qenë përgjegjës për përmbajtjen e tyre.”
Dosja ndaj Alqi Bllakos është pjesë e hetimeve të gjera të SPAK për aferën e inceneratorëve në Tiranë, Elbasan dhe Fier, që përfshijnë disa ish-zyrtarë të lartë të qeverisë dhe biznesmenë të lidhur me kompanitë koncesionare.
Vendimi i gjykatës pritet të shpallet pas shqyrtimit të kërkesës së Prokurorisë dhe pretendimeve të mbrojtjes.



                                    