Partia Demokratike ka akuzuar qeverinë për një aferë korruptive lidhur me projektin e Portit të ri tregtar në Porto Romano, duke e cilësuar atë si një skemë që dëmton interesin publik dhe rëndon mbi taksapaguesit shqiptarë.
Kreu i PD-së, Sali Berisha, gjatë një takimi në Durrës, deklaroi se projekti përbën, sipas tij, “vjedhje publike” dhe se ka pasoja të drejtpërdrejta në ekonomi dhe në pozicionin strategjik të vendit. Ai paralajmëroi gjithashtu ndikim negativ në procesin e integrimit europian të Shqipërisë.
Berisha u shpreh se nga Brukseli, sipas tij, po vendosen “një breshëri kushtesh të reja” për Shqipërinë, duke e lidhur këtë me mënyrën e qeverisjes dhe nivelin e korrupsionit në vend.
“Një breshëri kushtesh të reja vendosen dhe de facto pas proceseve të mundshme të anëtarësimit të Islandës dhe Norvegjisë, Shqipëria largohet me Edi Ramën me shpejtësi mbrapa nga horizonti,” deklaroi ai, duke shtuar se qeveria nuk është e besueshme në raport me luftën kundër korrupsionit.
Në fjalën e tij, Berisha kritikoi edhe aktivitetet e kryeministrit Edi Rama me qytetarët dhe takimet në kuadër të procesit të integrimit, duke i cilësuar pjesëmarrësit në këto takime si “patronazhistë” dhe duke përdorur gjuhë të fortë politike ndaj tyre.
Duke u ndalur te projekti i Portit të ri në Porto Romano, ai tha se zhvendosja e portit nga Durrësi do të dëmtojë rëndë funksionin strategjik të tij dhe do t’i shërbejë, sipas tij, interesave private në kurriz të interesit publik.
“Ky projekt jo vetëm përvetëson disa miliardë dollarë, por i jep një goditje fatale pozicionit gjeostrategjik të vendit,” u shpreh Berisha, duke shtuar se porti aktual i Durrësit është me rëndësi strategjike për rajonin dhe BE-në.
Ai theksoi se projekti i ri përfaqëson një ndërhyrje të rëndë në infrastrukturën kombëtare dhe e cilësoi atë si “çështje kombëtare të dorës së parë”.
Në përfundim, Berisha njoftoi se dega e Partisë Demokratike në Durrës do të organizojë protesta kundër projektit, duke e konsideruar atë një prioritet të aksionit opozitar.



