Identifikimi i aflatoksinës në qumështin e disa fermave në zonën e Lushnjës ka rikthyer në vëmendje çështjen e sigurisë ushqimore dhe standardet e kontrollit të produkteve që konsumohen çdo ditë nga qytetarët. Zbulimi i kësaj substance të rrezikshme për shëndetin ka sjellë reagim të menjëhershëm nga industria e përpunimit të qumështit.
Kompanitë e mëdha përpunuese, përfshirë Lufrën, vendosën të ndalojnë menjëherë grumbullimin dhe përpunimin e qumështit që rezultoi me përmbajtje aflatoksine mbi normat e lejuara, duke e konsideruar atë të papërshtatshëm për konsum.
Në një përgjigje zyrtare drejtuar Shoqatës së Industrisë së Përpunimit të Qumështit, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU) thekson se qumështi që përmban aflatoksinë M1 mbi kufirin e përcaktuar nga legjislacioni i Bashkimit Evropian, i cili zbatohet edhe në Shqipëri, konsiderohet i pasigurt dhe nuk lejohet të hidhet në treg apo të përdoret për përpunim.
Sipas AKU-së, refuzimi i këtij qumështi nga subjektet përpunuese nuk është vetëm e drejtë, por edhe një detyrim ligjor, në funksion të mbrojtjes së shëndetit të konsumatorëve. Ligji “Për Ushqimin” parashikon që çdo operator i biznesit ushqimor, në rast se konstaton se një lëndë e parë nuk përmbush standardet e sigurisë ushqimore, duhet të ndërmarrë menjëherë masa për bllokimin e saj dhe të njoftojë autoritetet kompetente.
Përveç kontrollit për aflatoksinën, industria e përpunimit të qumështit është e detyruar të kryejë analiza të rregullta edhe për praninë e antibiotikëve dhe nivelin e qelizave somatike, të cilat janë tregues kyç të cilësisë dhe sigurisë së qumështit.
Fabrikat e mëdha përpunuese disponojnë sisteme të avancuara monitorimi, laboratorë të brendshëm për analiza të përditshme dhe certifikime ndërkombëtare të sigurisë ushqimore, si ISO 22000. Sipas ekspertëve, këto investime janë thelbësore jo vetëm për qëndrueshmërinë e biznesit, por mbi të gjitha për garantimin e sigurisë ushqimore dhe mbrojtjen e interesit publik.



