Partia “Mundësia”, e drejtuar nga Agron Shehaj, i është drejtuar zyrtarisht Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) me një kërkesë për pajisjen me vërtetim zyrtar të rezultateve elektorale në zgjedhjet parlamentare të 11 majit.
Në kërkesën e firmosur nga nënkryetari Erald Kapri, subjekti politik kërkon që KQZ të lëshojë një dokument që pasqyron përqindjen e votave të marra në shkallë kombëtare, numrin e mandateve të fituara në Kuvend, si dhe çdo të dhënë tjetër zyrtare mbi rezultatin e partisë në zgjedhjet e fundit.
“Në mbështetje të nenit 22 dhe 22/1 të ligjit nr. 8580, datë 17.02.2000 ‘Për partitë politike’, të ndryshuar, si dhe në zbatim të Vendimit të Këshillit të Ministrave për përcaktimin e rregullave të hollësishme për zyrat qendrore dhe vendore të partive politike, Partia Mundësia kërkon nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve lëshimin e vërtetimit zyrtar që pasqyron të dhënat përkatëse”, thuhet në shkresë.
Sipas dokumentit, kjo kërkesë është bërë për qëllime procedurale, me qëllim pajisjen e partisë me seli qendrore dhe zyra vendore, siç parashikohet në nenin 22 të ligjit për partitë politike dhe në vendimin përkatës të Këshillit të Ministrave.
Partia “Mundësia” ka marrë pjesë në zgjedhjet e 11 majit 2025, duke synuar të konsolidojë pozicionin e saj si forcë e re politike në skenën kombëtare.