Detaje të reja janë zbuluar nga operacioni i zhvilluar këtë të hënë në Elbasan, i cili është cilësuar si një ndër aksionet më të mëdha të kohëve të fundit në luftën kundër krimit të organizuar.
Sipas burimeve policore, rreth 11 persona janë arrestuar, disa prej të cilëve me precedentë penalë. Aksioni u zhvillua në një lokal në zonën e Katundit të Ri, ku forcat e rendit ndërhynë pas informacioneve operative për praninë e personave të përfshirë në aktivitet kriminal.
Gjatë operacionit, në ambientet e lokalit ndodheshin dhjetëra persona, dhe është raportuar për kundërshtime dhe përplasje fizike me policinë gjatë kontrolleve.
Në vijim të ndërhyrjes, policia ka sekuestruar tre armë zjarri tip pistoletë, ndërsa mes të shoqëruarve janë identifikuar M.L. dhe biznesmeni B.M.
Aktualisht, autoritetet po analizojnë materialet filmike të sekuestruara në vendngjarje dhe po verifikojnë të kaluarën kriminale të të arrestuarve.
Operacioni, i zhvilluar nga strukturat e rendit me mbështetjen e forcave speciale, është pjesë e fushatës për goditjen e grupeve kriminale që veprojnë në qytetin e Elbasanit dhe zonat përreth.