Prokuroria Speciale e Kosovës, ka ngritur aktakuzë ndaj të pandehurit me inicialet C.K, i nacionalitetit serb, për shkak të dyshimit se ka kryer veprën penale: “Krim i luftës kundër popullsisë civile”.
Kjo prokurori thekson në një njoftim për media se “hetimet kanë vërtetuar se gjatë periudhës kohore të luftës në Kosovë gjatë vitit 1998-1999, i pandehuri ka kryer dhunë seksuale si krim i luftës ndaj një viktimë të nacionalitetit shqiptar”.
“Në mbështetje të neneve 234 par.2 dhe 303 par. 7 të KPP-së, Prokuroria Speciale i ka propozuar Gjykatës që të mbaj gjykimin në mungesë për shkak se i pandehuri C.K është i paarritshëm për organet e drejtësisë, kurse janë plotësuar kushtet ligjore nga neni 234 i KPP-së, për ngritjen e aktakuzës në mungesë”.
“Kjo çështje penale tashmë i ka kaluar në kompetencë Departamentit Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë për procedurë të mëtutjeshme”, thuhet në njoftimin e kësaj prokurorie, transmeton Klankosova.tv.