back to top
23.5 C
Tirana
E premte, 9 Maj, 2025
spot_img
KreuDrejtësiaAkuzohet për kultivim kanabisi me Durim Bamin/ Apeli i GJKKO lë në...

Akuzohet për kultivim kanabisi me Durim Bamin/ Apeli i GJKKO lë në burg ish-efektivin e RENEA-s Altin Morina

Gjykata e Apelit të Posaçëm ka lënë në fuqi masën e sigurisë “arrest me burg” për Altin Morinën, ish-efektivin e RENEA-s, i cili akuzohet për pjesëmarrje në kultivimin e lëndëve narkotike në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal. Vendimi konfirmon atë të shkallës së parë.

Prokurori i çështjes, Alfred Shehu, paraqiti para gjykatës një dosje me 26 faqe përgjime, të siguruara përmes aplikacionit të komunikimit të koduar “Sky ECC”, të cilat, sipas Prokurorisë së Posaçme, implikojnë Morinën në veprimtarinë kriminale.

Sipas SPAK, Altin Morina ka bashkëpunuar me Durim Bamin dhe një person tjetër të referuar si “Drejtori”, i cili ende nuk është identifikuar nga hetuesit. Megjithatë, mbrojtja e Morinës ka kundërshtuar akuzat, duke pretenduar se ai nuk ka lidhje me aktivitetin kriminal të përmendur në dosje.

Morina ishte shpallur në kërkim nga SPAK pas lëshimit të urdhrit të ndalimit, por nuk u gjet në banesë. Ai u arrestua më 4 prill 2025 nga oficerët e Komisariatit Nr. 2 në Tiranë.

Prokuroria e Posaçme ka përfunduar hetimet për këtë çështje, e cila është pjesë e një dosjeje më të gjerë që përfshin veprimtarinë e shtatë grupeve kriminale që operonin në qytete të ndryshme të vendit, përfshirë Lezhën, Durrësin, Krujën, Tiranën, Vlorën dhe Burrelin. Në kuadër të këtij operacioni janë lëshuar 50 urdhër-arreste, nga të cilat afro gjysma janë ekzekutuar brenda dhe jashtë vendit, ndërsa disa persona ndodhen në burg për akuza të tjera.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat