back to top
7.5 C
Tirana
E premte, 14 Nëntor, 2025
spot_img
KreuDrejtësiaAlarm nga Brukseli: Drejtësia shqiptare ende me pengesa serioze

Alarm nga Brukseli: Drejtësia shqiptare ende me pengesa serioze

Bashkimi Europian ka publikuar Progres-Raportin për Shqipërinë për vitin 2025, ku përveç vlerësimeve për reformat ligjore, evidentohen edhe problematika të vazhdueshme që lidhen me kushtet në burgje, sjelljen e policisë dhe aksesin në drejtësi. Dokumenti zyrtar, i cili mbulon periudhën raportuese të një viti, vlerëson se pavarësisht hapave pozitivë në disa fusha, standardet e të drejtave të njeriut dhe efikasiteti i institucioneve të drejtësisë mbeten sfida madhore.

Kushtet në burgje dhe sjellja e policisë

Në faqet 36–37 të raportit, BE thekson se mbipopullimi në burgje vazhdon të jetë një ndër problemet më serioze në sistemin penitenciar shqiptar.
“Ka pretendime për trajtim të keq dhe mungesë të kujdesit të mjaftueshëm shëndetësor. Llogaridhënia për sjellje të papërshtatshme të policisë është e kufizuar; mekanizmat për ankesat janë jo të zhvilluara”, thuhet në raport.

Pavarësisht disa investimeve dhe reformave në infrastrukturën e burgjeve, numri i të dënuarve dhe paraburgosurve vijon të jetë mbi kapacitetet që mund të përballojë aktualisht sistemi.
Në të njëjtën kohë, sjellja e policisë mbetet në fokus të kritikave, për shkak të mungesës së mbikëqyrjes efektive dhe pavarësisë së strukturave që duhet të hetojnë abuzimet.

Në rekomandimet për këtë fushë, Komisioni Europian kërkon:

“Zbatimin e reformave në burgje për të ulur mbipopullimin dhe për të përmirësuar kujdesin shëndetësor. Forcimin e monitorimit të sjelljes së policisë, duke përfshirë mbikëqyrje të pavarur.”

Këto gjetje përputhen me raportet e organizatave të të drejtave të njeriut, të cilat kanë ngritur alarmin për mungesë transparence dhe mekanizma efektivë të përgjegjshmërisë në strukturat e sigurisë.

Qasja në drejtësi dhe vonesat në sistemin gjyqësor

Në faqet 38–39, raporti ndalet në mënyrë të detajuar te aksesueshmëria e drejtësisë për qytetarët dhe vonesat e gjata në proceset gjyqësore.
“Vonesa në gjykata dhe qasja e kufizuar në ndihmë juridike pengojnë të drejtën për një gjykim të drejtë. Grupet e cenueshme, përfshirë minoritetet dhe gratë, preken në mënyrë disproporcionale,” thekson raporti.

Sipas BE-së, edhe pse janë shtuar programet e reformës gjyqësore dhe numri i juristëve të rinj, ende mungon një akses real për shtresat me të ardhura të ulëta, të cilat shpesh nuk arrijnë të sigurojnë mbrojtje ligjore adekuate.

Në rekomandimet për këtë fushë, BE kërkon:

“Zgjerimin e programeve të ndihmës juridike dhe sigurimin e procedurave gjyqësore në kohë. Promovimin e fushatave ndërgjegjësuese mbi të drejtat dhe qasjen në drejtësi.”

Vlerësimi i përgjithshëm: Progres i kufizuar, nevojë për reforma të thella

Raporti i vitit 2025 mban një ton të kujdesshëm, duke njohur progres në disa fusha, si digjitalizimi i administratës publike dhe përmirësimi i bashkëpunimit ndërinstitucional, por njëkohësisht thekson nevojën për përmirësim të qëndrueshëm në fushën e të drejtave themelore, drejtësisë dhe sigurisë publike.

Fokusi i Komisionit Europian mbetet në:

forcimin e institucioneve të pavarura,

rritjen e transparencës dhe llogaridhënies,

garantimin e trajtimeve njerëzore në burgje,

dhe përmirësimin e aksesit të qytetarëve në sistemin gjyqësor.

Në përfundim, BE nënvizon se Shqipëria ka bërë përparim të prekshëm në procesin e integrimit, por për të përmbushur standardet e plota të anëtarësimit, duhen rezultate konkrete dhe të matshme në fushat e drejtësisë dhe të drejtave të njeriut.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat