back to top
21.5 C
Tirana
E mërkurë, 25 Qershor, 2025
spot_img
KreuAktualitetEkonomiaAlarm për eksportet shqiptare: Gjithnjë e më pak biznese guxojnë jashtë kufi

Alarm për eksportet shqiptare: Gjithnjë e më pak biznese guxojnë jashtë kufi

Gjithnjë e më shumë biznese shqiptare po shohin si më të leverdishme sjelljen e mallrave nga jashtë për shitje në tregun vendas, sesa eksportimin e produkteve shqiptare jashtë vendit. Kjo tendencë vërtetohet nga të dhënat më të fundit të publikuara nga Instituti i Statistikave (INSTAT), të cilat tregojnë se numri i ndërmarrjeve importuese është rritur ndjeshëm gjatë vitit 2024, ndërsa ndërmarrjet eksportuese kanë pësuar një rënie të lehtë.

Sipas INSTAT, gjatë vitit 2024 numri i bizneseve që merren me import mallrash arriti në 14,734, duke shënuar një rritje prej 8% krahasuar me një vit më parë. Në të kundërt, numri i ndërmarrjeve që eksportojnë mallra shqiptare u tkurr lehtë me 0.2%, duke zbritur në 3,784 biznese, vetëm 8 më pak se në vitin 2023 – por mjaftueshëm për të treguar një tendencë në rënie.

Biznesi i importit, sipas analizës, lidhet kryesisht me sektorin e tregtisë. Rreth 62% e ndërmarrjeve importuese operojnë në këtë fushë, duke sjellë nga jashtë veshje, aksesorë, pajisje elektronike, automjete dhe produkte të tjera, të cilat më pas shiten në tregun vendas, shpesh përmes platformave online që janë rritur ndjeshëm në numër dhe popullaritet në Shqipëri.

Ndërkohë, bizneset eksportuese janë të përqendruara kryesisht në industrinë fason dhe atë ushqimore, sidomos në sektorin e frutave dhe perimeve, që ka njohur një rritje të lehtë. Megjithatë, sektori fason ka hasur vështirësi për shkak të zhvlerësimit të euros, gjë që ka ndikuar negativisht në konkurrueshmërinë e tij, duke ulur përfitimin e kompanive që punojnë për tregjet e huaja.

Ekspertët vlerësojnë se kjo prirje është sinjal alarmi për produktet “Made in Albania”, pasi mungesa e nxitjes për eksport dhe vështirësitë në konkurrencë ndërkombëtare mund të kufizojnë zhvillimin afatgjatë të ekonomisë vendase. Ndërkohë që importi shihet si një rrugë e shpejtë për përfitim, eksporti mbetet rruga më e qëndrueshme për forcimin e prodhimit vendas dhe vendosjen e Shqipërisë në hartën tregtare ndërkombëtare.

Të dhënat e INSTAT vijnë në një moment kur Shqipëria synon të zgjerojë eksportet dhe të ulë varësinë nga mallrat e importuara, por realiteti në terren tregon një histori tjetër: bizneset shqiptare po i shmangen sfidës së tregjeve ndërkombëtare, duke zgjedhur rrugën më të sigurt dhe më të shpejtë – importin.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat