Seanca plenare e kësaj të enjteje në Kuvendin e Shqipërisë është shoqëruar me debate të forta politike, ku në qendër ishte paralajmërimi i Ambasadës së Shteteve të Bashkuara për rrezik të mundshëm nga grupe të lidhura me Iranin.
Në nisje të seancës, ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, deklaroi se nuk ka vend për alarm, duke theksuar se autoritetet shqiptare janë në kontakt të vazhdueshëm me partnerët ndërkombëtarë.
“Ne i ndjekim me kujdes të gjitha paralajmërimet e aleatëve tanë dhe jemi në komunikim me Uashingtonin dhe NATO-n”, u shpreh ai.
Në të njëjtën linjë, ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari, bëri të ditur se strukturat e antiterrorit janë vënë në lëvizje dhe po bashkëpunojnë me zyrën e sigurisë së Ambasadës Amerikane.
Ndërkohë, ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi, sqaroi se paralajmërimi nuk është specifik vetëm për Shqipërinë, por është shpërndarë nga ambasadat amerikane në të gjithë Evropën, për shkak të situatës në Lindjen e Mesme.
Opozita kërkon mbledhje urgjente
Opozita e konsideroi situatën serioze dhe kërkoi masa të menjëhershme. Deputeti Fatmir Mediu i bëri thirrje Presidentit për mbledhjen urgjente të Këshillit të Sigurisë Kombëtare, duke theksuar se çështjet e sigurisë nuk mund të neglizhohen.
Po ashtu, kreu i grupit parlamentar të PD, Gazment Bardhi, kërkoi praninë e Kryeministrit në Kuvend për të dhënë shpjegime mbi situatën.
Përplasje dhe tone të ashpra
Debati në sallë u ashpërsua, ku kryetari i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla, akuzoi opozitën për përhapje paniku dhe deklaroi se nuk ka informacion zyrtar për një kërcënim konkret ndaj Shqipërisë.
Nga ana tjetër, kryeparlamentari Niko Peleshi u bëri thirrje deputetëve të shmangin alarmizmin, ndërsa refuzoi kërkesën për mbledhje urgjente të Këshillit të Sigurisë në këtë fazë.
Seanca u ndërpre për pak çaste për shkak të përplasjeve verbale, ndërsa një moment i veçantë ishte përshëndetja e nxënësve nga Pogradeci që ndiqnin punimet nga salla e Kuvendit.
Gjithashtu, deputeti Erion Braçe kritikoi mungesën e ministrit të Bujqësisë në interpelancë, duke kërkuar më shumë përgjegjësi institucionale.
Kujtoijme se në një reagim, Ambasada e SHBA në Tiranë konfirmoi se po bashkëpunon ngushtë me autoritetet shqiptare për të vlerësuar situatën dhe për të minimizuar çdo rrezik të mundshëm sigurie.



