Zjarret kanë përfshirë vendin gjatë 24 orëve të fundit, me 25 vatra të raportuara, nga të cilat 4 mbeten ende aktive. Vatrat janë evidentuar në disa bashki, përfshirë: Vlorën, Elbasanin, Dibrën, Tiranën, Durrësin, Bulqizën, Poliçanin, Korçën e të tjera.
Zjarret Aktive:
Tragjas–Dukat, Vlorë:
Në zonën malore “Sotiran”, mes fshatrave Tragjas dhe Dukat, po punojnë 8 forca zjarrfikëse dhe 7 punonjës pyjorë. Situata është monitoruar gjatë natës dhe mbështetet nga helikopteri i Forcës Ajrore.
Zgërbonjë, Poliçan:
Zjarri mbetet aktiv, por pa rrezik për përhapje. Monitorohet nga forcat vendore.
Livadhi i Peladhisë, Bulqizë:
Në një zonë të thellë pyjore me pisha dhe dëllinja, vatra nuk është izoluar për shkak të terrenit të vështirë. Po përdoren mjete të kalueshmërisë së lartë.
Parku Kombëtar Lurë, Dibër:
Zjarri në zonën “Liqeni i Luleve” nuk u izolua pavarësisht përpjekjeve gjatë natës. Sot janë angazhuar mbi 40 forca në terren dhe në ndihmë do operojë sërish një helikopter ushtarak.
Dëme materiale dhe bilanc i përgjithshëm:
Zjarre janë regjistruar edhe në dy banesa dhe një godinë biznesi, me dëme të konsiderueshme materiale.
Janë djegur rreth 5 hektarë me bimësi, përfshirë pemë, shkurre dhe barishte.
Sipas Institutit të Gjeoshkencave, niveli i rrezikut për zjarre është “I LARTË” në pothuajse të gjitha qarqet. Sot priten reshje të dobëta në disa zona, por të pamjaftueshme për të ndryshuar situatën.