Kreu i partisë “Shqipëria Bëhet”, Adriatik Lapaj, i ka dërguar një letër të dytë kreut të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, ku i kërkon njohjen e dorëheqjeve të kandidatëve të listës së mbyllur të koalicionit, për t’i kaluar atij mandatin e vetëm të fituar në zgjedhjet e 11 majit, në bashkëpunim me Endri Shabanin dhe Nisma Thurje.
Kjo kërkesë vjen në një situatë të tensionuar mes aleatëve të koalicionit, ku mes Adriatik Lapajt dhe Endri Shabanit ka nisur një përplasje e ashpër publike me akuza dhe kundërakuza. Sipas burimeve, disa kandidatë të listës së mbyllur, përfshirë dajën e Shabanit, Zeqir Kordhoni, kanë tërhequr dorëheqjet dhe po kërkojnë rivendosjen e mandatit.
Së fundmi, në media u publikua një audio ku një anëtar i partisë së Lapajt kërcënon Shabanin dhe familjarët e tij me pasoja të rënda për “pabesinë”.
Në letër drejtuar KQZ-së, Lapaj i bën thirrje Celibashit të konfirmojë me shkrim që dorëheqjet e kandidatëve janë pranuar në heshtje, sipas Nenit 97 të Kodit të Procedurave Administrative, dhe kërkon që mandati t’i kalojë atij si drejtues i koalicionit.
Situata pritet të sjellë zhvillime të reja në skenën politike, ndërsa shpërthimi i konflikteve në koalicion po rrit tensionet në prag të mandateve parlamentare.