Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, zhvilloi sot një takim me aleatët politikë për të diskutuar propozimet e tyre mbi reformën zgjedhore dhe atë territoriale, por disa prej tyre shprehën kritika të ashpra për mënyrën e organizimit dhe për marrëdhëniet brenda koalicionit.
Takimi u zhvillua pa pjesëmarrjen e disa figurave kyçe, përfshirë Fatmir Mediun, Agron Dukën dhe Aldo Blushin. Ndërkohë, Adriatik Alimadhi, kreu i Ballit Kombëtar, deklaroi se pas zgjedhjeve Partia Demokratike “s’do t’ia dijë dhe mbyll telefonin” për aleatët.
I ashpër ishte edhe kreu i Partisë Demokristiane, Nard Ndoka, i cili iu drejtua Berishës duke theksuar se nuk duhet t’i akuzohen aleatët për humbjen e zgjedhjeve. Ai kritikoi mungesën e konsultimeve dhe respektit ndaj partive partnere në nivel lokal dhe nënvizoi se bashkëpunimi opozitar nuk është realizuar si duhet.
“Na lejoni ta shtrimë pak më shumë takimin. Është çuditshme që para zgjedhjeve ftoni aleatët, por më pas nuk na pyesni dhe mbyllni telefonin. Kam bashkëpunuar për 20 vjet, por nuk kam gjetur respektin e duhur. Bashkëpunimi në nivel lokal nuk është realizuar asnjëherë,” tha Alimadhi.
Ndoka, nga ana tjetër, theksoi problematikat e sistemit zgjedhor dhe efektin e ndryshimeve të bëra në kodin zgjedhor, duke akuzuar qeverinë për manipulim të mandateve dhe për favorizim të interesave të veta në dëm të pluralizmit politik. Ai theksoi se aleatët janë shpesh të perceptuar si “kosto” nga partia kryesore, edhe pse roli i tyre është vendimtar për rezultatin elektoral.
“PD duhet të mos presë vetëm raportin e ODIHR-it për të reaguar, por të veprojë për të mbrojtur votën dhe pluralizmin,” tha Ndoka, duke kujtuar se aleatët kontribuojnë drejtpërdrejt në fitoret e koalicionit.



