Ilir Alimehmeti, një nga figurat e angazhuara në politikën opozitare, ka komentuar mundësinë e përfshirjes në një garë për kreun e Partisë Demokratike. I ftuar në emisionin “ÇdoKënd” me Merita Haklajn në A2 CNN, ai nuk e përjashtoi këtë mundësi, por theksoi se përpara çdo kandidature duhet të ekzistojë një klimë e vërtetë gare dhe vullnet politik për ndryshim.
“Fillimisht, duhet të ketë garë. Duhet të ketë dëshirë dhe vullnet politik për garë, për ndryshim. Por, kur shikoj 2027, them se kandidatët për kryetarë bashkie duhet të jenë të mirë. E pamë në vitin 2023: u performua më mirë atje ku u përfaqësuam më mirë”, u shpreh Alimehmeti.
Ai kritikoi mënyrën se si zhvillohen zakonisht ndryshimet në lidership në Shqipëri, duke bërë krahasim me modelin perëndimor. Sipas tij, në vendet e zhvilluara tranzicioni i drejtimit është i butë dhe gradual, ndërsa në Shqipëri ndodh “me thikë”.
“Ka dy lloj modelesh se si zgjidhen këto punë: në Lindje dhe në Perëndim. Në Shqipëri pritet me thikë, dikush del dhe dikush hyn. Shtetet perëndimore vendosin një të ri një vit para, bashkë me atë që është në detyrë, dhe kalimi i kompetencave bëhet gradualisht. Kështu nuk ka krisje të forta, por vazhdimësi. Në Shqipëri nuk e kemi parë këtë variantin perëndimor”, tha ai.
Alimehmeti la të kuptohet se çdo garë e mundshme brenda Partisë Demokratike duhet të bazohet në kontribute reale dhe jo në emërime të njëanshme, duke kërkuar një model më demokratik dhe funksional.