Deputeti i Partisë Demokratike, Tomor Alizoti, ka kritikuar ashpër deputetët socialistë, duke i cilësuar injorantë dhe të paaftë për të kuptuar ligjet dhe funksionin e Kushtetutës. Ai thekson se situata në Kuvend është tragjike dhe komike njëkohësisht, duke e përshkruar si një “garë cirku” ku secili përpiqet të duket më karagjoz se tjetri.
“Ky Kuvend nuk ka asnjë element serioziteti. Diskutimet për Kushtetutën, ligjin themeltar të shtetit, zhvillohen me një diletantizëm të papërshkrueshëm. Shumica nuk e kupton rëndësinë e institucioneve dhe nuk është në gjendje të japë vizion për vendin,” tha Alizoti për mediat.
Ai gjithashtu u ndal te krizën e gjerë sociale, ekonomike dhe politike që përjeton vendi, duke vënë në dukje se shumica e deputetëve nuk e kupton rëndësinë e politikës së jashtme dhe sigurisë rajonale, duke e lidhur këtë me sfidat e Evropës dhe kërcënimet nga Rusia dhe Serbia.
Alizoti shtoi se kjo situatë nuk ka të bëjë me politikën partiake, por me paaftësinë dhe mungesën e seriozitetit brenda Kuvendit, duke e cilësuar si një turp për institucionin.