Kreu në detyrë i SPAK, Altin Dumani, zhvilloi sot një takim me studentët e Universitetit “Aleksandër Moisiu” në Durrës, ku foli për sfidat dhe arritjet e Prokurorisë së Posaçme. Ai theksoi se presionet politike nuk kanë ndikuar në hetimet e strukturës dhe se puna e SPAK vijon pavarësisht përpjekjeve për ndikim.
Sipas Dumanit, më shumë se 50% e çështjeve që përfshijnë zyrtarë të lartë janë përfunduar me vendim të formës së prerë, duke nënvizuar efikasitetin në trajtimin e korrupsionit në nivelet e larta të administratës.
Kreu i SPAK ngriti gjithashtu shqetësimin për pamundësinë aktuale të prokurorëve të posaçëm për të rikandiduar pas përfundimit të mandatit. Ai paralajmëroi se largimi i tyre mund të krijojë boshllëqe të mëdha në sistem, duke dëmtuar investimin e bërë në trajnimin e tyre.
“Shqipëria nuk ka luksin të humbasë prokurorë me eksperiencë. Duhet të ekzistojë mundësia për rikandidim për ata që dëshirojnë të vazhdojnë,” u shpreh Dumani.



