Kreu i Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), Altin Dumani, ka paralajmëruar një situatë shqetësuese që mund të ndodhë në vitin 2028, kur mandati 9-vjeçar i 11 prokurorëve të posaçëm do të përfundojë brenda një periudhe shumë të shkurtër kohe.
Gjatë fjalës së tij në Komisionin e Ligjeve në Kuvendin e Shqipërisë, Dumani tha se kjo do të krijonte “një vakum shumë të madh në sistemin e drejtësisë”, pasi bëhet fjalë për prokurorë që kanë ndërtuar për vite me radhë përvojë, integritet dhe njohuri të thelluara në hetimet e çështjeve të ndërlikuara të korrupsionit dhe krimit të organizuar.
“Imagjinoni vitin 2028. Të paktën 11 prokurorëve të posaçëm iu mbaron mandati brenda një viti. Vakumi që krijohet në atë institucion është shumë i madh. 11 prokurorë në një vit është e pamundur t’i zëvendësosh. Ata kanë çështje që i ndjekin prej vitesh dhe cënohen hetimet në këtë drejtim,” – deklaroi Dumani.
Dumani: Nuk do të rikandidoj pas përfundimit të mandatit
Në të njëjtën dalje, kreu i SPAK bëri të ditur se nuk do të rikandidojë për postin e prokurorit të posaçëm pas përfundimit të mandatit të tij 9-vjeçar, duke theksuar se kjo ishte një vendim personal, i marrë që në momentin e aplikimit për t’u bërë pjesë e këtij institucioni.
“Ju siguroj që në përfundim të mandatit 9-vjeçar nuk do të rikandidoj për prokuror. E kam bërë këtë marrëveshje me veten që kur aplikova për të qenë prokuror i posaçëm,” – u shpreh Dumani para deputetëve.
Sipas tij, rreziku më i madh që e pret SPAK-un është pikërisht humbja e një trupe të specializuar prokurorësh që për vite të tëra janë trajnuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Europian, duke përfituar mbështetje, asistencë teknike dhe formim profesional për të përballuar hetime komplekse.
“Shteti shqiptar, BE dhe SHBA kanë investuar në këtë trupë prokurorësh për t’u rritur profesionalisht, për të krijuar imunitetin e nevojshëm karshi politikës, biznesit dhe krimit të organizuar. Pra, një ditë të bukur u thuhet: ‘Mbaroi mandati’. Nuk e kemi këtë luks që një prokuror i specializuar të çohet në një prokurori tjetër,” – paralajmëroi ai.
Kreu i SPAK sqaroi gjithashtu se asnjëherë nuk është kërkuar rinovim automatik i mandatit të prokurorëve të posaçëm, por vetëm dhënia e së drejtës për të rikandiduar në përfundim të mandatit.
“Unë përcjell çfarë prokurorët e posaçëm më përcjellin mua. Nuk kemi thënë rinovim automatik të mandatit, por dhënie të drejtë për të rikandiduar. Çdo prokuror i posaçëm pas mandatit 9-vjeçar ka nevojë të rivlerësohet,” – sqaroi Dumani.
Ai theksoi se rrotacioni i menjëhershëm i prokurorëve do të ndikonte drejtpërdrejt në cilësinë e hetimeve, pasi shumë dosje të ndërlikuara, që kanë zgjatur për vite, kërkojnë vazhdimësi dhe përfshirje të atyre që i kanë ndjekur që në fillim.
Rreziku i “shkëputjes së zinxhirit” të hetimeve
Dumani ngriti alarmin se, nëse nuk gjendet një zgjidhje ligjore në kohë, SPAK mund të përballet me një krizë funksionale, pasi humbja e një numri kaq të madh prokurorësh brenda një periudhe të shkurtër do të çonte në ngadalësim të hetimeve, zvarritje të proceseve dhe humbje të njohurive institucionale.
“11 prokurorë që largohen brenda një viti janë praktikisht e pamundur të zëvendësohen menjëherë. Ata kanë në duar çështje të mëdha dhe komplekse, që kërkojnë kohë, njohuri dhe përvojë për t’u ndjekur deri në fund,” – paralajmëroi Dumani.
Sipas tij, kjo situatë duhet të parashikohet që tani nga Kuvendi dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë, për të shmangur një “vakum institucional” që mund të ndikojë seriozisht në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
“Vlerësoj se duhet parë kjo çështje me kujdes. Nuk mund të humbasim një trupë që ka fituar profesionalizëm dhe pavarësi pas shumë vitesh pune dhe sakrificash,” – përfundoi Dumani.