Ambasadori i Bashkimit Europian në Tiranë, Silvio Gonzato, mori pjesë në ceremoninë e prezantimit të portalit e-Legjislacioni, duke theksuar rëndësinë e këtij hapi në rrugëtimin e Shqipërisë drejt anëtarësimit në BE.
Gonzato vuri në dukje se gjatë këtij viti Shqipëria besohet se do të hapë të gjitha grupkapitujt për negocim, një moment kyç për avancimin e reformave dhe forcimin e demokracisë në vend.
“Ky është hapi i parë i rëndësishëm për të përmbushur pavarësinë e institucioneve dhe për t’i dhënë Kuvendit rolin kyç në negociatat me BE-në dhe më pas si shtet anëtar,” tha ambasadori.
Ai shtoi se Bashkimi Europian do të mbështesë Shqipërinë përmes një projekti që përqendrohet në katër aspekte: qeverisjen, përmirësimin e mekanizmave negociues, fuqizimin e shoqërisë civile dhe medias.
Ky moment konsiderohet si një mundësi për modernizimin e institucioneve dhe fuqizimin e demokracisë shqiptare në rrugën drejt BE-së.