Banka e Shqipërisë dhe Dhoma Amerikane e Tregtisë organizuan forumin e biznesit me temë: “E ardhmja është tani: Si po riformëson inovacioni shërbimet financiare shqiptare në 2025”.
Guvernatori i Bankës së Shqipërisë Gent Sejko tha se ekosistemi i pagesave ka përjetuar transformime të rëndësishme në dy dekadat e fundit në nivel global.
Ai tha se teknologjitë e reja kanë transformuar produktet dhe shërbimet e ofruara në tregun e pagesave me vlerë të vogël, ndërkohë që ekosistemi është zgjeruar me aktorë të rinj, të cilët janë kthyer në hallka të rëndësishme në zinxhirin e vlerës së pagesave.
Sejko vuri në pah avancimin e vendit tonë për pagesat online.
“Falë përdorimit në rritje të teknologjisë celulare, internetit dhe promovimit të produkteve inovative, konsumatorët po fitojnë akses në shërbime financiare dhe mund të menaxhojnë financat e tyre, të transferojnë para, të paguajnë faturat, në mënyrë elektronike”, tha Sejko.
Guvernatori theksoi se përdorimi i instrumenteve elektronike të pagesave vijon të rritet me ritme dyshifrore, duke ndihmuar në reduktimin e përdorimit të cash-it dhe rritjen e formalizimit të ekonomisë.
Sipas tij, numri i pagesave digjitale për frymë ka arritur në 23 në vitin 2024, nga vetëm 2 pagesa për frymë në vitin 2015. Ndërsa, përfshirja financiare e matur si përqindje e popullsisë që zotëron të paktën një llogari financiare ka arritur në 78%, nga rreth 40% në vitin 2015.
Guvernatori tha se, “‘open banking’ ose pagesat nëpërmjet portofoleve elektronike, po gjejnë përdorim gjithnjë e më të gjerë, duke u shtrirë edhe në popullsi ku aksesi bankar është më i rrallë”.
“Ofrimi i infrastrukturës së re të pagesave, AIPS Euro, ka shmangur radhët e gjata nëpër sportelet e bankave për kryerjen e pagesave në euro nga njëra bankë në tjetrën dhe ka ulur komisionet e larta të aplikuara nga transferimi përmes bankave korrespondente. AIPS Euro u ka kursyer qytetarëve rreth 100 milionë euro dhe nga zerimi i komisioneve për pagesat deri në 20 000 lekë në vitin 2020, konsumatorëve dhe bizneseve u janë kursyer 700 milionë lekë”, u shpreh Sejko.
Guvernatori u ndal në dy momente kryesore të efikasitetit të shërbimeve financiare: Anëtarësimi i Shqipërisë në tregun europian të pagesave SEPA dhe “Open banking”.
Sipas tij, anëtarësimi i Shqipërisë në SEPA, do të ulë komisionet ndërkufitare në euro, do të zgjeroj investimet e huaja dhe marrëdhëniet tregtare me BE-në. Transaksionet nëpërmjet skemave SEPA do t’u kursejë agjentëve ekonomikë rreth 20 milionë euro në vitin e parë.
Sejko bëri të ditur se, “institucionet financiare shqiptare pritet të nisin aplikimet pranë EPC-së duke nisur nga muaji prill 2025. Ndërsa bankat vendase janë angazhuar maksimalisht për plotësimin e kritereve teknike dhe ligjore dhe pritet që qytetarët dhe bizneset shqiptare të mund të kryejnë transaksione SEPA duke nisur nga muaji tetor”.
Nga ana tjetër, vijoi Guvernatori, “Open banking” është një realitet, për të cilin renditemi po ashtu ndër vendet e para në rajon.
“Ne jemi besimplotë se “bankingu i hapur” do të ulë kostot e shërbimit, rrisë shpejtësinë e pagesave elektronike, si dhe përmirësojë përvojën e përdoruesve në një sektor të avancuar bankar”, deklaroi Sejko.
Ndërkohë, Drejtori i Dhomës Amerikane të Tregtisë, Neritan Mullaj, u ndal në atë se si bankingu i hapur po revolucionarizon sektorin financiar në Shqipëri.
Përmes “open banking”, klientët shqiptarë mund të autorizojnë palët e treta të transferojnë fondet nga llogaritë e tyre bankare për të kryer pagesa dhe për të marrë shërbime të ndryshme.