back to top
12.4 C
Tirana
E premte, 14 Mars, 2025
spot_img
KreuAktualitetBotaAnketat: SHBA-ja nuk është më një partner i besueshëm

Anketat: SHBA-ja nuk është më një partner i besueshëm

Më 23 shkurt në Gjermani u mbajtën zgjedhjet e reja për Bundestagun. Nuk kanë kaluar as dy javë dhe fituesit e zgjedhjeve, Unioni CDU/CSUdhe Partia Socialdemokrate Gjermanisë (SPD) deri tani në pushtet, kanë hedhur tashmë themelet e para për një koalicion të mundshëm. Partitë kanë rënë dakord se duan të investojnë masivisht në infrastrukturën e rrënuar të Gjermanisë dhe në mbrojtjen e vendit.

Qytetarët në përgjithësi i mbështesin këto plane. Dy të tretat e mbështesin vendimin për shtimin e buxhetit për mbrojtje, ndërsa 80% i mbështesin projektet e infrastrukturës. Kjo rrjedh nga “Trendi Gjerman” (“Deutschlandtrend”) aktual, i cili kryhet rregullisht për shërbimin publik ARD nga instituti i kërkimit të opinionit publik Infratest-dimap. Në këtë sondazh janë anketuar përfaqësuesisht 1.325 qytetarë gjermanë me të drejtë vote në datat 4 dhe 5 mars.


Problemi i qeverisë së ardhshme federale: Mungojnë mjetet buxhetore si për projektet, ashtu edhe për mbrojtjen dhe infrastrukturën. Është e qartë se shteti do të detyrohet të marrë hua qindra miliarda euro. A ka mbështetjen e qytetarëve ky plan?

Në përgjithësi, gjashtë nga dhjetë votues dhe më shumë se dy të tretat e mbështetësve të Unionit (CDU/CSU) mbështesin rritjen e huamarrjes. Mbështetësit e AfD-së, një parti që zyrtarisht është pjesërisht e ekstremit të djathtë, janë kryesisht kundër saj.

Gjermania po armatoset
Kjo do të ishte paketa më e madhe e borxhit në historinë gjermane deri më sot. Është planifikuar të investohen 500 miliardë euro në modernizimin e infrastrukturës gjatë dhjetë viteve të ardhshme. Për këtë qëllim duhet të krijohet një fond i posaçëm i financuar nga kreditë. Për të mundësuar huamarrjen për shpenzime më të mëdha të mbrojtjes, duhet të ndryshohet i ashtuquajturi “frenim në huamarrje”.

“Le të kushtojë sa të kushtojë („Whatever it takes”).” Me këto fjalë, kancelari i mundshëm i ardhshëm kristiandemokrat Friedrich Merz theksoi synimin e qeverisë së ardhshme për të përmirësuar ndjeshëm aftësitë ushtarake të Gjermanisë. Është një reagim ndaj politikës së jashtme të presidentit amerikan Donald Trump.

Ai mori sërish detyrën gjashtë javë më parë dhe po vë në pikëpyetje pothuajse gjithçka që ka përcaktuar vendin dhe marrëdhëniet e tij me partnerët. Kjo ndikon fuqishëm në perceptimin e Trump dhe SHBA-së në sytë e qytetarëve gjermanë.

Çdo i dyti gjerman thotë se opinioni i tyre për Donald Trump është përkeqësuar që kur ai mori detyrën. Vetëm një në shtatë shpreh qëndrim pozitiv ndaj presidentit amerikan. Në të njëjtën kohë, reputacioni i SHBA-së në Gjermani po bie dhe po arrin një nivel të ri më të ulët të matur ndonjëherë në Deutschlandtrend.


SHBA është ende një partner të cilit Gjermania mund t’i besojë, mendon vetëm një në gjashtë votues. Tre të katërtat e të anketuarve besojnë se aleatët e NATO-s nuk mund të mbështeten aktualisht në mbrojtjen e SHBA.

NATO mbetet e rëndësishme për Evropën
Qytetarët gjermanë nuk e vënë në dyshim ekzistencën e NATO-s. Rreth 84 për qind thonë se Aleanca Veriatlantike është e rëndësishme për sigurimin e paqes në Evropë. Sidoqoftë, pavarësia më e madhe e Evropës nga një aleancë ushtarake shoqërohet me simpati: çdo i dyti i anketuar mbështet idenë e krijimit të një aleance ushtarake evropiane.

Rënia e madhe e reputacionit të SHBA-së në perceptimin e gjermanëve është e lidhur me ndryshimin e politikës amerikane ndaj Ukrainës. SHBA ka pezulluar dërgesat e armëve për Ukrainën, e cila është sulmuar nga Rusia. Vizita zyrtare e presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky në Shtëpinë e Bardhë ka thelluar edhe më tej përçarjen mes Uashingtonit dhe Kievit.

Evropianët duan të vazhdojnë të ndihmojnë Ukrainën të mbrohet kundër agresionit. Megjithatë, gjashtë nga dhjetë qytetarë gjermanë e konsiderojnë joreale të pritet që vendet evropiane të kompensojnë mbështetjen amerikane për Ukrainën. Evropa nuk është në gjendje ta bëjë këtë, thonë të anketuarit.

Zelensky bën thirrje për armëpushim

Po sikur të arrihet një marrëveshje armëpushimi mes Rusisë dhe Ukrainës? Mendimet janë të ndara sa i përket pjesëmarrjes gjermane në paqeruajtjen me ushtarët e Bundeswehrit.


SHBA-ja po ushtron presion në negociatat e paqes midis Ukrainës dhe Rusisë. Zelensky do të ishte i kënaqur nëse një armëpushim do të arrihej “në qiell dhe në det”, siç tha ai përpara samitit të BE-së në Bruksel (6 mars), njerëzit po vdesin pamëshirshëm – edhe gjermanët janë të shqetësuar për këtë situatë.

Sipas Deutschlandtrend, 73 për qind e të anketuarve janë të shqetësuar për sigurinë në Evropë. 68 për qind e tyre simpatizojnë popullin e Ukrainës – 14 për qind më pak se dy vjet më parë. Dy të tretat e të anketuarve janë të shqetësuar se Evropa mund të jetë e pafuqishme përballë asaj që po planifikojnë presidenti amerikan Trump dhe presidenti rus Vladimir Putin. Një numër i barabartë i të anketuarve janë gjithashtu të shqetësuar për marrëdhëniet midis SHBA-së dhe Gjermanisë.

Çfarë do të ndodhë më pas në Gjermani?
Edhe pse negociatat mes Unionit CDU/CSU dhe SPD-së po vazhdojnë, çdo i dyti gjerman ende ka frikë se pas zgjedhjeve nuk do të ketë një qeveri të qëndrueshme.

Gjendja politike në vend, megjithatë, është pothuajse e njëjtë si dy javë më parë në kohën e zgjedhjeve. Po të votohej këtë javë sërish, Unioni CDU/CSU do të ishte subjekti politik më i fortë me 29 për qind, i ndjekur nga AfD me 21 për qind. SPD do të mund të llogarisë me 16 për qind, ndërsa të Gjelbrit do të merrnin 12 për qind të votave. E Majta do të fitonte nëntë për qind.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat