back to top
17.5 C
Tirana
E premte, 10 Prill, 2026
spot_img
KreuAktualitetEkonomiaAeroporti i Vlorës nuk certifikohet/ Anulohen kontratat turistike

Aeroporti i Vlorës nuk certifikohet/ Anulohen kontratat turistike

Aeroporti i Vlorës nuk do të jetë gati për të nisur fluturimet këtë sezon veror, duke shkaktuar pasoja të menjëhershme në sektorin e turizmit, veçanërisht në rajonin e jugut të vendit.

Sipas operatorëve turistikë, vonesat në përfundimin e procedurave të certifikimit kanë bërë të pamundur hapjen e aeroportit në kohë, çka ka çuar në anulimin e fluturimeve charter të planifikuara nga tregjet nordike drejt Vlorës.

Burime nga sektori bëjnë të ditur se kontratat e tipit “allotment”, të cilat siguronin paraprakisht dhoma hoteliere pa pagesa të menjëhershme, janë prekur drejtpërdrejt nga ky zhvillim, kryesisht në zonën e Vlorës dhe bregdetit përreth.

Turoperatorët konfirmojnë se autoritetet u kanë komunikuar këtë javë se hapja e aeroportit nuk mund të realizohet për shkak të mungesës së certifikimit për operim, pavarësisht se infrastruktura fizike konsiderohet e përfunduar.

Për këtë sezon, janë anuluar fluturime të planifikuara nga tregjet kryesore nordike, përfshirë Norvegjinë, Suedinë, Finlandën dhe Danimarkën, me një volum prej disa fluturimesh charter në javë.

Përfaqësues të industrisë turistike shprehen se Shqipëria mbetet ende në fokusin e agjencive nordike për sezonin e ardhshëm, por mungesa e aeroportit të Vlorës ka detyruar rishikimin e menjëhershëm të kontratave dhe itinerareve.

Sipas tyre, një pjesë e rezervimeve të sigurta paraprakisht në hotele janë prekur nga situata, duke krijuar pasiguri për bizneset turistike në zonë.

Elvis Kotherja, themelues i “Elite Travel Group & Elite Hospitality”, konfirmon se fluturimet janë anuluar për këtë vit, por shton se janë arritur marrëveshje për rikthimin e destinacionit në vitin e ardhshëm, me një rritje të parashikuar të frekuencës së charterave.

“Në fakt, na është konfirmuar që Aeroporti i Vlorës nuk mund të hapet sepse ende nuk kanë përfunduar procedurat e nevojshme për operim. Lajmi i keq është anulimi i charterave për këtë sezon, por lajmi i mirë është që Shqipëria mbetet në listën e destinacioneve për vitin e ardhshëm,” u shpreh ai.

Sipas tij, për sezonin e ardhshëm janë parashikuar deri në pesë fluturime charter në javë nga tregjet nordike.

Situata vjen për të dytin vit radhazi, pasi edhe më parë charterat e planifikuar për Vlorën janë devijuar drejt Aeroportit Ndërkombëtar të Tiranës, duke shkaktuar transferta të gjata me autobus drejt jugut.

Ndërkohë, zhvillimi i projektit të aeroportit mbetet i shoqëruar me vonesa dhe paqartësi. Sipas burimeve të industrisë, aksionerët e konsorciumit që menaxhon projektin janë përfshirë në mosmarrëveshje ligjore, ndërsa procesi i certifikimit dhe afatet e operimit mbeten të pasigurt.

Autoritetet shtetërore, sipas operatorëve, po ndjekin nga afër situatën, ndërsa ende nuk ka një datë zyrtare të konfirmuar për nisjen e fluturimeve nga Aeroporti i Vlorës.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat