U mblodh sot Këshilli Kombëtar i Integrimit, që ka të bëjë me raportimin e deritanishëm dhe ecurinë e procesit ligjor dhe politik të integrimit të vendit drejt BE-së.
I pranishëm në këtë takim edhe ambasadori i bashkimit Evropian në Tiranë, Silvio Gonzato, kryetarja Jorida Tabaku, deputete e PD-së dhe njëkohësisht kryetare e Komisionit për Çështjet Evropiane dhe Integrimit, si dhe Majlinda Dhuka, Ministre e Shtetit dhe Kryenegociatore.
Pasi u bë analiza e ecurisë për vitin 2024, ministrja Dhuka tha se “Shqipëria ndodhet në finishin e saj në rrugën e integrimit në BE dhe se kjo pranverë do ketë e bukur për vendin”.
Ambasadori i BE-së, Gozato përgëzoi Shqipërinë për ecurinë e deritanishme me hapa të shpejtë dhe të sigurt, teksa vlerësoi edhe bashkëpunimin dhe vullnetin politik mes palëve për të bashkëpunuar në integrimin e Shqipërisë drejt BE-së.
“Nuk ka më kohë për zvarritje dhe BE është e gatshme të bashkëpunojë edhe me Parlamentin për të shtyrë më tej punën. Parlamenti është angazhuar për të rritur transparencën, integritetin dhe aksesin e qytetarëve. Kuvendi luan rol më të përgjegjshëm për të promovuar debatin dhe konsensusin. Ashtu siç e ka thënë komisionerja Marta Kos, që do e thotë edhe gjatë vizitës së saj këtë fundjavë, ky proces është i rëndësishëm. Nuk bëhet fjalë vetëm për llogaridhënie, por edhe faktorë të tjerë. Përgëzoj zonjën Tabaku për përpjekjet e bëra deri tani për ecurinë e punës dhe bashkëpunimin”, tha Gonzato.
Më tej ai vlerësoi edhe një nga çështjet që ishte rend dite, lufta ndaj diskriminimit dhe adaptimi i ligjeve e direktivave të BE-së në ligjet shqiptare.
“Vlerësoj edhe fokusin sot për diskriminimin, pasi barazia është ndër themelet e BE-së, për të luftuar diskriminimin. Tani kemi edhe dy direktiva të reja, e shpresoj se legjislacioni shqiptar do jetë në linjë me këto dy direktiva. Ruajtje e autoritetit të këtij këshilli dhe komisionerit në çuarjen e prioriteteve përpara”, tha ambasadori ndër të tjera.
Kurse ministrja Dhuka bëri rezumenë e punës për vitin 2024 në lidhje me Integrimin, si ministre e Shtetit dhe Kryenegociatore, duke theksuar se këto kohë mbahen edhe takime me rëndësi dhe samite për negociatat. Ajo theksoi se viti 2024 shënoi përparime edhe në klimën dhe zhvillimin e biznesit dhe ecurinë drjet tregut të BE-së.
“Shqipëria ndodhet në finish drejt BE-së dhe kjo pranverë do jetë e bukur për vendin. Së fundmi është vendosur hapja e zyrës së Parlamentit Evropian në Tiranë, një urë e fortë lidhëse dhe një hap i madh para në prioritetet e Shqipërisë. Një afirmim i rëndësishëm i rolit të Shqipërisë në Ballkanin perëndimor, që kontribuon për paqen dhe progresin drejt familjes evropiane”, tha Dhuka mes të tjerash.