Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka lënë në fuqi vendimin e shkallës së parë që dënon Aleksandër Lahon e njohur ndryshe si “Rrumi i Shijakut”.
Laho është dënuar me 3 vite burg për veprën penale “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike” ndërsa pas aplikimit të gjykimit të shkurtuar, dënimi i tij është ulur me një të tretën dhe është caktuar në 2 vite burgim.
Vendimi u shpall më 23 korrik 2025 nga trupa gjykues e përbërë nga gjyqtarët Saida Dollani (kryesuese) dhe anëtarët Dhimitër Lara dhe Engert Pëllumbi.
Laho, i cili ndodhet në kërkim prej disa vitesh dyshohet se i ka dhënë zyrtarit të Avokatit të Shtetit, Irgen Kërçuku, shumën prej 600 mijë lekë dhe i ka premtuar edhe 300 mijë lekë më shumë, me qëllim që të mos ushtronte ankim për një çështje pronësie.
Sipas SPAK, Laho e ka dhënë ryshfetin për mosankimin në Apel të një çështje lidhur me tjetërsimin e 45 mijë metrave katrorë tokë publike në Gjirin e Lalzit.
Laho mbeti i plagosur në vitin 2019, në atentatin që iu bë prokurorit të Durrësit, Arjan Ndoja.
Në atë kohë atij iu sekuestrua telefoni, nga ku rezultoi një video, ku ai po komunikonte me një zyrtar të Avokaturës së Shtetit për rastin korruptiv.
Kjo është pranuar edhe nga Kërçuku, që është dënuar me 2 vite burg për akuzën e korrupsionit.
“Rrumi” vijon në kërkim, ndërsa avokati i tij ka pretenduar se ndodhet në gjendje të rënduar shëndetësore, për shkak se pas atentatit në Shqipëri në vitin 2019 nuk mori ndihmën e duhur mjekësore dhe nga plumbat ka mbetur i dëmtuar, duke i gjymtuar edhe një këmbë.
Njoftimi i plotë i Gjykates e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar
“Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues të përbërë nga gjyqtarët Saida Dollani (kryesuese), Dhimitër Lara (anëtar) dhe Engert Pëllumbi (anëtar), më datë 23.07.2025, shpalli vendimin lidhur me çështjen e regjistruar me nr. 43 akti, datë 28.05.2025 regjistrimi, mbi ankimin e paraqitur nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dhe ankimin e paraqitur nga i pandehuri A.L., ndaj vendimit nr. 12, datë 06.02.2025 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, dhe vendosi:
– Lënien në fuqi të vendimit nr. 12, datë 06.02.2025 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me këtë ndryshim:
– Deklarimin fajtor të të pandehurit A.L. për veprën penale “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, e kryer në bashkëpunim, e parashikuar nga nenet 244 dhe 50, shkronja gj) të K.Penal dhe dënimin e tij me 3 (tre) vjet burgim.
– Në bazë të nenit 406 paragrafi 1 i K.Pr.Penale të pandehurit A.L. i ulet 1/3 e dënimit duke u dënuar përfundimisht me 2 (dy) vjet burgim.
– shpenzimet procedurale edhe në gjykimin në apel i ngarkohen të pandehurit.
U shpall në Tiranë, më 23.07.2025”, thuhet në njoftim.