Gjykata e Apelit te Juridiksionit të Përgjithshëm vendosi të hënën ndryshimin e vendimit për vendin e ekzekutimit të dënimit të ish-kryebashkiakut Safet Gjici, duke pranuar kërkesën e avokatit të tij për të lejuar Gjicin të vuaj pjesën e mbetur të dënimit në shtëpi.
Safet Gjici, ish-kryebashkiaku i Kukësit, u gjet fajtorë për korrupsion i kishin mbetur edhe rreth 8 muaj vuajtje dënimi.
Gjici kishte dorëzuar kërkesë në Gjykatën e Elbasanit për liri me kusht, më pas çështja kaloi në Apel. Sipas avokatit Markeljan Jança, ish-kryebashkiaku i Kukësit vuan nga zemra, zmadhim të aortës dhe diabet të formës së rënduar.
Avokati ka deklaruar më parë se këto problematika Gjici i ka vuajtur edhe më herët, por gjendja e rënduar psikologjike në burg ka rënduar edhe gjendjen e tij shëndetësore. Gjykata ka pranuar kërkesën dhe ka ndryshuar vendin e vuajtjes së dënimit për Gjicin, nga burgu në shtëpi. Gjicit i kërkohet të mos lërë banesën.
Ish-kryetari i Bashkisë së Kukësit Safet Gjici u dënua në qershor të vitit që shkoi me 3 vjet burg nga Gjykata e Apelit të Gjykatës së Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit pasi apeli vendosi të prishë dënimin e shkallës së parë, i cili e dënonte atë vetëm për abuzim me detyrën dhe e dënoi atë edhe për korrupsion. Për korrupsion u dënua edhe Alma Kaçi, gruaja që regjistroi një video në të cilën ajo dhe Gjici shfaqen duke kryer seks në zyrën e kryetarit të bashkisë si dhe duke biseduar për përfitimin e fondeve nga ana e Kaçit për ndërtimin e një qendre për trajtimin e qenve të rrugës në qytetin veri-lindor.
Gjici është një nga shumë kryetar bashkish të dënuar apo në proces hetimi për korrupsion nga Struktura e Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit.