back to top
12.5 C
Tirana
E shtunë, 17 Janar, 2026
spot_img
KreuAktualitetEkonomia“Arben Ahmetaj nuk dëgjonte”/ Braçe kritikon skemën tatimore që godet fermerët

“Arben Ahmetaj nuk dëgjonte”/ Braçe kritikon skemën tatimore që godet fermerët

Deputeti socialist Erion Braçe kritikoi ashpër ish-ministrin e Financave, Arben Ahmetaj, duke e cilësuar përgjegjës kryesor për rritjen e informalitetit në sektorin e bujqësisë dhe blegtorisë në Shqipëri.

Braçe deklaroi se skema e TVSH-së, e miratuar dhe mbështetur nga Ahmetaj, ka krijuar pabarazi në treg, duke dekurajuar grumbulluesit dhe përpunuesit të blejnë nga fermerët vendas. Ai theksoi se kjo skemë ka favorizuar importin në vend të prodhimeve vendase, duke goditur kështu prodhimin bujqësor shqiptar dhe duke nxitur informalitetin.

Në emisionin “Dekalog” në DritareTV, deputeti u shpreh se që në vitin 1998, gjatë diskutimeve në Komisionin e Ekonomisë, Arben Ahmetaj si ministër Financash “nuk dëgjonte” dhe mbetet përgjegjësi kryesor për rrënimin e arritjeve në bujqësi dhe blegtori që nga viti 2018 e deri më sot.

Ai shtoi se për gjashtë vite ka denoncuar publikisht problemet që krijon kjo politikë fiskale, por propozimet e tij nuk janë marrë parasysh as në grupin parlamentar, as në komisionet përkatëse.

Në reagimin e tij, Braçe kritikoi gjithashtu mungesën e kontrollit mbi ushqimet e importuara, fidanët, pesticidet dhe produktet e ndaluara që qarkullojnë në treg. Sipas tij, produktet bujqësore që konsumohen sot në Shqipëri shpesh hyjnë në mënyrë të paligjshme dhe nuk kontrollohen si duhet.

Pyetjes së gazetar Roland Qafoku nëse do të pranojë postin e ministrit të Bujqësisë, Braçe iu përgjigj se nuk e sheh të arsyeshme dhe nuk dëshiron të bëhet ministër në kushtet aktuale të qeverisë.

Ai përfundoi duke thënë se pa një reformë fiskale të thellë, çdo përpjekje për formalizimin e sektorit të bujqësisë do të jetë e dështuar.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat