Ish-zv.kryeministri Arben Ahmetaj ka reaguar ashpër pas lajmit të publikuar sot, sipas të cilit Ministria e Drejtësisë ka dorëzuar një kërkesë të re për ekstradimin e tij. Përmes një deklarate në rrjetet sociale, Ahmetaj e ka cilësuar lajmin të pavërtetë dhe pjesë të një fushate politike për të devijuar vëmendjen nga skandalet që, sipas tij, po godasin qeverinë.
“Lajmi është i rremë. Kërkesa për ekstradim është bërë me urgjencë më 18 gusht 2023, pra më shumë se dy vite më parë. Ligji e përcakton qartë: bëhet vetëm një kërkesë,” shkruan Ahmetaj.
Ai ndalet edhe tek e ashtuquajtura “pseudo-transfertë”, që sipas tij ka një vit që hetohet dhe nuk ekziston asnjë provë që e lidh atë me ndonjë transfertë financiare.
“Prokurori e di shumë mirë që nuk ka asnjë transfertë midis meje dhe askujt. Le të mbetet sfidë! Shumë shpejt letra-porosia do të përkthehet dhe e vërteta do të dalë,” vijon ai.
Ahmetaj akuzon qeverinë për shpërndarje të qëllimshme zhurme, duke thënë se qëllimi është që të mbulohet “bashkëpunimi me krimin e organizuar dhe kartelet e drogës” si dhe skandalet e fundit që, sipas tij, kanë përfshirë nivele të larta të pushtetit.
“Në vijim, do të ketë më shumë detaje,” e mbyll reagimin e tij.



