Në dëgjesën e parë publike për draftin e ri të Kodit Penal, drejtori i Shkollës së Magjistraturës, Arben Rakipi, dha qëndrime të qarta mbi disa prej çështjeve më të debatueshme që pritet të përfshihen në draft, përfshirë shpifjen dhe prostitucionin.
Rakipi theksoi se shpifja nuk duhet të depenalizohet, duke argumentuar se ajo ende përbën rrezik real për shoqërinë dhe drejtësinë. Sipas tij, vendimet mbi këto çështje nuk duhet të ndikohen nga qëndrime politike apo populiste, por të bazohen në analiza objektive.
“Depenalizimi i veprave nuk është proces politik. Duhet parë niveli praktik dhe kriminal i veprës, si dhe efekti që ajo ka. Në shumicën dërrmuese të rasteve, vepra si shpifja duhet të penalizohen,” – tha Rakipi.
Nga ana tjetër, ai propozoi depenalizimin e prostitucionit, duke theksuar se kjo është një çështje e lënë jashtë debatit publik dhe që kërkon një qasje të re ligjore.
“Ja vlen të penalizohet bigamia, pirja e alkoolit në publik. Eutanazia duhet të depenalizohet dhe prostitucioni që nuk është folur fare,” – u shpreh ai.
Ky qëndrim i Rakipit nënkupton një debat të hapur për trajtimin institucional e social të prostitucionit, larg qasjes penale, ndërsa drafti i ri i Kodit Penal do të vijojë të diskutohet nëpërmjet një serie dëgjesash publike me ekspertë, institucione dhe qytetarë.