back to top
9.5 C
Tirana
E enjte, 13 Nëntor, 2025
spot_img
KreuAktualitetArben Shehu: Ka rrezik për tjetërsim pronash publike dhe shkelje në prokurime

Arben Shehu: Ka rrezik për tjetërsim pronash publike dhe shkelje në prokurime

Kreu i Kontrollit të Lartë të Shtetit (KLSH), Arben Shehu, gjatë raportimit të tij në Kuvend për veprimtarinë e institucionit gjatë vitit 2024, bëri të ditur se ndikimi i KLSH në financat publike është rritur ndjeshëm, me 99.9% nivel pranueshmërie të rekomandimeve nga institucionet e audituara.

Në fjalën e tij, Shehu theksoi se auditimet e zhvilluara gjatë vitit të kaluar kanë evidentuar një sërë problematikash që lidhen me menaxhimin financiar, regjistrimin e pasurive publike, përgatitjen e dokumentacionit pronësor dhe zbatimin e ligjeve në prokurimet publike.

“Janë evidentuar problematika në regjistrimin e pasurive si dhe në përgatitjen e dokumentacionit pronësor. Në paraqitjen e detyrimeve të papaguara janë konstatuar diferenca ndërmjet shifrave të raportuara dhe gjendjes reale. Në të gjitha fazat e auditimit të menaxhimit buxhetor janë vënë re mangësi në disiplinën financiare,” deklaroi Shehu.

Ai shtoi se strukturat përgjegjëse për mbikëqyrjen teknike shpesh nuk kanë ushtruar me efektivitet detyrën e tyre, çka ka ndikuar në uljen e kontrollit mbi përdorimin e fondeve publike.

159 auditime në të gjitha nivelet e qeverisjes gjatë vitit 2024

Sipas raportit të paraqitur nga kreu i KLSH-së, gjatë vitit 2024 janë kryer 159 auditime në të gjitha nivelet e qeverisjes dhe institucioneve publike të vendit.

“Sipas llojit të auditimeve, 45 kanë qenë financiare, 43 përputhshmërie, 35 të kombinuara, 15 të performancës, 8 mbi teknologjinë e informacionit dhe 13 mbi zbatimin e rekomandimeve. Auditimet janë zhvilluar në 205 subjekte, përfshirë 97 njësi të qeverisjes qendrore, 75 të qeverisjes vendore, 13 institucione të pavarura dhe 20 ente publike,” tha Shehu.

KLSH raportoi se një pjesë e konsiderueshme e institucioneve të audituara ende përballen me problematika në regjistrimin e plotë të pasurive të paluajtshme, si dhe në klasifikimin dhe marrjen në dorëzim të pronave publike, duke krijuar rrezik për tjetërsimin e tyre.

Mangësi në disiplinën financiare dhe keqmenaxhim në prokurime

Shehu vuri në dukje se në shumë prej auditimeve të realizuara janë konstatuar shkelje të kuadrit ligjor dhe rregullator, sidomos në fushat e prokurimeve publike, raportimit fiskal dhe zbatimit të kontratave.

“Në auditimet e përputhshmërisë dhe ato të kombinuara janë identifikuar shkelje të ligjeve në prokurime dhe në raportimin fiskal. Në të gjitha fazat e menaxhimit buxhetor janë vënë re mangësi në disiplinën financiare, në vlerësimin e projekteve dhe përdorimin jo reflektiv të fondeve publike,” theksoi ai.

Sipas kreut të KLSH-së, problematikat në prokurime lidhen me planifikime të dobëta, shpesh të paharmonizuara me nevojat reale dhe fondet e disponueshme, si dhe me kufizim të konkurrencës në procedurat e tenderimit.

“Në shumë raste janë konstatuar parregullsi në përmbajtjen e kontratave dhe mungesë e kontrolleve të brendshme, çka cenon transparencën dhe efikasitetin e shpenzimeve publike,” shtoi Shehu.

Rritje e pranueshmërisë së rekomandimeve

Pavarësisht problematikave të evidentuara, kreu i KLSH-së nënvizoi se niveli i zbatimit të rekomandimeve nga institucionet e audituara është rritur ndjeshëm, duke arritur në 99.9% nivel pranueshmërie.

Ky tregues, sipas tij, dëshmon për rritjen e bashkëpunimit ndërinstitucional dhe përmirësimin e qasjes së institucioneve publike ndaj transparencës dhe llogaridhënies.

“KLSH mbetet e angazhuar për të forcuar kontrollin e brendshëm, transparencën dhe përgjegjshmërinë në përdorimin e fondeve publike. Objektivi ynë është që auditimi të shërbejë si instrument për përmirësim të menaxhimit financiar, jo vetëm si mekanizëm kontrolli,” u shpreh Shehu.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat