Adriana Kalaja, ish-kryetare e Gjykatës dhe anëtare e Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike, ka dhënë dorëheqjen e parevokueshme nga funksionet e saj partiake. Lajmi u bë i ditur nga vetë Kalaja përmes një komunikate të gjatë publike.
Në deklaratën e saj, Kalaja shpreh mirënjohje për mbështetësit dhe bashkëpunëtorët, duke theksuar se gjatë angazhimit të saj ka punuar me korrektësi dhe përkushtim për mbrojtjen e Statutit të PD-së, si dhe për interesin më të lartë të partisë dhe qytetarëve.
“Ndjehem e detyruar t’Ju bëj me dije se kam vendosur të shpall kandidaturën time për pozicionin e Avokatit të Popullit. Angazhimi dhe puna ime e vazhdueshme kanë qenë gjithmonë të orientuara drejt respektimit dhe garantimit të shtetit ligjor, parimeve kushtetuese dhe të drejtave themelore të qytetarëve,” shkruan Kalaja.
Ajo thekson se qëllimi i kandidaturës është dhënia e kontributit të saj profesional dhe qytetar për të mbrojtur të drejtat dhe interesat e ligjshme të individëve, pa dallim, dhe për të bashkëpunuar me organet shtetërore për përmirësimin e kuadrit rregullator dhe masave organizative në shërbim të interesit publik.
Kalaja kujton gjithashtu angazhimet e saj në mbrojtje të të drejtave të demokratëve dhe qytetarëve shqiptarë gjatë periudhave të protestave dhe proceseve ligjore, duke theksuar se dorëheqja nga PD nuk do ta ndalojë në këtë mision.
“Ditën e enjte, kam depozituar pranë Kryetarit të Partisë Demokratike dorëheqjen time të parevokueshme nga funksioni i Kryetares së Gjykatës dhe nga Këshilli Kombëtar. Nuk di si do të shkojë procesi i mbështetjes për postin e Avokatit të Popullit, por di se nuk do të heq dorë nga ato që di të bëj më mirë,” përfundon Kalaja.



