Gjykata e Durrësit vendosi masat e sigurisë për 8 të arrestuar lidhur me arratisjen e Altin Ndocit nga Spitali i Durrësit, ngjarje e ndodhur më 13 janar.
Masat e sigurisë janë:
Komisar Dezdemon Pazaj – Punonjës i Policisë së Burgjeve; Arrest në burg
Komisar Violeta Uka – Punonjëse e Policisë së Burgjeve; Arrest në shtëpi
Kryeinspektor Dorjan Saraçi – Punonjës i Policisë së Burgjeve; Detyrim paraqitje
Inspektor Sali Ferrollari – Punonjës i Policisë së Burgjeve; Arrest në burg
Inspektor Fatjon Braçi – Punonjës i Policisë së Burgjeve; Arrest në burg
Inspektor Preng Marvataj – Punonjës i Policisë së Burgjeve; Detyrim paraqitje
Kryeinspektor Aranit Çela – Punonjës i Policisë së Burgjeve; Detyrim paraqitje
Kryeinfermier Aulon Quku – Punonjës i IEVP Durrës; Arrest në shtëpi
Gjithashtu, ditën e djeshme u arrestua edhe ish-drejtori i burgut të Durrësit, Indrit Cerloj, pas shkarkimit nga detyra me urdhër të ministrit të Drejtësisë, Besfort Lamallari.
Ngjarja ndodhi mesditën e 13 janarit, kur Altin Ndoci, gjatë trajtimit mjekësor në spital, kërkoi të shkonte në tualet. Ai u shoqërua nga dy efektivë, të cilët sulmoi dhe u arratis. Plani ishte i mirorganizuar: në dalje e priste një “Audi A7” me targë të vjedhur, i cili u kap më pas nga kamerat në autostradën Durrës-Tiranë, duke lehtësuar kontrollet policore në Tiranë dhe zonat përreth.
Pamjet filmike treguan momentin kur Ndoci largohet pa pranga dhe i shmanget rojeve të sigurisë, duke ecur mes automjeteve në parkimin e spitalit dhe më pas duke u zhdukur pas një ndërtese.
Altin Ndoci u bë i njohur për publikun pas rrëfimit të bashkëpunëtorit të drejtësisë, Nuredin Dumanit, lidhur me vrasjen e dy vëllezërve Besmir dhe Viktor Haxhia në Durrës dhe ekzekutimin e dy personave të tjerë më 2 mars 2020, Dorjan Shkoza dhe Anxhelo Avdia.
Sipas policisë, Ndoci ka lidhje me grupet kriminale të zonës së Pukës dhe me persona të njohur për krime të rënda, si Arben Muço. Ai dyshohet gjithashtu për ngjarje ku mbeti i vrarë Xhuljan Sollaku dhe u plagos Arben Muço.
Gjatë hetimeve janë sekuestruar prova që lidhen me rrjetin kriminal të Ndocit, përfshirë makina të braktisura, gjurmë gishtash dhe njolla gjaku, që e lidhin me disa ngjarje të dhunshme në Durrës dhe Tiranë.



