back to top
12.5 C
Tirana
E enjte, 16 Tetor, 2025
spot_img
KreuAktualitetKosovaArrestime në protestën kundër shtrenjtimit të rrymës në Kosovë

Arrestime në protestën kundër shtrenjtimit të rrymës në Kosovë

Një protestë kundër shtrenjtimit të energjisë elektrike në Kosovë, para Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE), e cila pritet të vendosë rreth një propozimi për ngritjen e çmimit të rrymës në vend, ka përfunduar me arrestimin e disa personave në mëngjesin e së mërkurës.

Aktivistë kundër shtrenjtimit të rrymës, nga iniciativa “Asnji Cent Ma Shumë!”, bllokuan zyrat e ZRRE-së në lagjen Lakrishte, në Prishtinë, para se të prangoseshin nga Policia e Kosovës.

Dymbëdhjetë prej protestuesve janë arrestuar, ka bërë të ditur Policia e Kosovës për Radion Evropa e Lirë.

“Aktualisht, të njëjtit janë duke u proceduar konform autorizimeve policore në koordinim me Prokurorin e Shtetit”, ka njoftuar Policia.

Të arrestuarit, të cilët, sipas Policisë, kanë zhvilluar aktivitet të paparalajmëruar, “kanë shpërfillur urdhërat e zyrtarëve policorë dhe kanë penguar disa zyrtarë të hyjnë në zyrat e tyre”.

Arrestimi i një personi pas protestës te zyrat e ZRRE-së.
Arrestimi i një personi pas protestës te zyrat e ZRRE-së.

ZRRE-ja ka paralajmëruar se, nga muaji prill, faturat e energjisë elektrike mund të rriten për 15 për qind.

Aktualisht, për konsumatorët që shpenzojnë deri në 800 kilovatë në orë brenda një muaji, çmimi i rrymës gjatë ditës është 7.79 centë për kilovat. Në rast të shtrenjtimit për 15%, ata do të paguanin 8.96 centë.

ZRRE-ja i shqyrton dhe cakton tarifat e energjisë elektrike çdo vit dhe ato janë në fuqi nga 1 prilli deri më 31 mars të vitit pasues.

Vendimi për shtrenjtimin ose jo të rrymës këtë vit pritet të merret më 11 prill, ndërsa tarifat e reja është thënë se do të mund të hynin në fuqi retroaktivisht nga 1 prilli, ose nga 1 maji.

Sipas ZRRE-së, rritja e tarifave këtë vit është e domosdoshme, për shkak të uljes së prodhimit të energjisë, rritjes së konsumit dhe varësisë së madhe nga importet me çmime të larta.

Kosova nuk mund ta sigurojë energjinë e nevojshme për mbi 1.6 milion banorët e saj vetëm me prodhimin nga Korporata Energjetike e Kosovës (KEK).

Një nga arsyet është vjetërsia me dekada e termocentraleve “Kosova A” dhe “Kosova B”.

Prodhim ka edhe përmes burimeve të ripërtërishme, por në sasi më të vogla.

Prodhimi i pamjaftueshëm bën që një pjesë e konsiderueshme e furnizimit të sigurohet përmes importeve, që janë të shtrenjta./REL

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat