“Një teatër i orkestruar nga Edi Rama” Kështu e ka konsideruar Arben Ahmetaj arrestimin e Erion Veliajt nga SPAK, në një intervistë të dhënë për gazetarin Vincent W. J. van Gerven Oei për Lapsi.al.
Sipas Ahmetajt, me arrestimin e Veliajt, Edi Rama tund flamurin e reformës në drejtësi para ndërkombëtarëve dhe njëkohësisht fut edhe më shumë frikë brenda partisë, për t’i mbajtur të tijët nën trysni.
“Kjo është e gjitha një teatër i Ramës. Para së gjithash, dua të them se për mua është mesjetare që e kanë çuar Erionin në burg. Ata mund ta hetonin në gjendje të lirë, por jo duke qëndruar kryetar bashkie. Nuk mund të qëndrosh në detyrë ndërsa je duke u hetuar dhe akuzuar. Në të njëjtën kohë, nuk pajtohem me qëndrimin e Erionit për të sulmuar prokurorët dhe familjet e tyre.
Së dyti, nëse shikon arsyen pse Erioni është në burg, ajo nuk ka lidhje me çështjen e vërtetë, as me inceneratorin dhe as me aferën 5D. Pse? Sepse këto do ta çonin hetimin te Kryeministri, dhe ata nuk mund të prekin shefin e tyre. Pra, edhe një herë, ky është një teatër i madh i Ramës. Ai donte të tundte flamurin e Reformës në Drejtësi, dhe pa Erionin brenda, ky flamur do të binte
Fatkeqësisht, Partia Socialiste ka ndaluar së shkruari programe. Praktikisht, ajo që po them është se çështja e Erionit është një teatër i Ramës për të futur më shumë frikë brenda partisë. Sepse partia duhet të qëndrojë nën frikë dhe trysni, ndërsa ai tund flamurin e Reformës në Drejtësi për burokratët evropianë. Është e gjitha një teatër, edhe rasti i Erionit, i orkestruar strategjikisht me shumë kujdes nga Rama.” – thotë Arben Ahmetaj