Mazhoranca ka rrëzuar në Konferencën e Kryetarëve dy kërkesat e opozitës për ngritjen e komisioneve hetimore lidhur me kontratat e Autoritetit Rrugor Shqiptar (ARRSH) dhe Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI).
Opozita kishte kërkuar ngritjen e një komisioni hetimor për “kontrollin e ligjshmërisë së veprimeve të Autoritetit Rrugor Shqiptar në realizimin e investimeve në infrastrukturën rrugore”. Një kërkesë e dytë synonte hetimin e funksionimit të AKSHI-t, duke u fokusuar te siguria kibernetike, mbrojtja e të dhënave të qytetarëve dhe rreziqet për sigurinë kombëtare, si dhe detyrimet e Shqipërisë si vend anëtar i NATO-s.
Sipas përfaqësuesve të shumicës, këto çështje janë tashmë objekt hetimi nga organet e prokurorisë dhe për këtë arsye nuk mund të trajtohen paralelisht në Kuvend përmes komisioneve hetimore.
Rrëzimi i kërkesave vjen në një kohë kur opozita ka kërkuar më shumë transparencë dhe kontroll parlamentar mbi institucionet publike dhe kontratat shtetërore, ndërsa mazhoranca argumenton se ndarja e kompetencave nuk lejon ndërhyrje të Kuvendit në procese që janë nën hetim penal.



