Kreu i Autoriteti Rrugor Shqiptar, Ami Kozeli, doli këtë të martë në një konferencë për mediat për të sqaruar situatën e krijuar nga bllokimi disa ditor i aksit Librazhd–Përrenjas, një nga segmentet kryesore rrugore në lindje të vendit.
Sipas Kozelit, analizat teknike tregojnë se shkaku kryesor i problematikës janë reshjet intensive dhe të zgjatura të ditëve të fundit, të cilat kanë shkaktuar erozion lumor dhe rrëshqitje të njëpasnjëshme të dherave. Këto fenomene kanë dëmtuar trupin e rrugës dhe kanë rrezikuar stabilitetin e zonës përreth, duke e bërë të domosdoshëm ndërhyrjen emergjente.
Pas mbledhjes së zhvilluar sot nga Këshilli Teknik, janë marrë një sërë vendimesh për stabilizimin e situatës dhe rikthimin e qarkullimit sa më shpejt të jetë e mundur. Mes tyre është ndërtimi i një rruge të re provizore në shtratin e lumit Shkumbin, e cila pritet të shërbejë si zgjidhje e përkohshme për lëvizjen e mjeteve gjatë fazës së ndërhyrjes.
Po ashtu, është vendosur rakordimi i menjëhershëm me Hekurudha Shqiptare, si dhe me agjencitë kombëtare të mjedisit dhe ato të menaxhimit të burimeve ujore, për të koordinuar veprimet dhe për të shmangur rrezikun për infrastrukturën rrugore dhe hekurudhore në zonë.
Një tjetër masë e rëndësishme është prishja e urës ekzistuese dhe lehtësimi i segmentit të dëmtuar, duke ndërtuar një skarpat natyror që do të mundësojë ndërhyrjen teknike dhe stabilizimin e terrenit. Paralelisht, do të ndërhyhet për përmirësimin e sistemit të ujërave në gjithë zonën përreth, me qëllim menaxhimin më të mirë të rrjedhave dhe shmangien e dëmeve të ngjashme në të ardhmen.
Në plan është edhe devijimi i rrjedhës së lumit që aktualisht godet rrugën dhe linjën hekurudhore, një hap që autoritetet e konsiderojnë thelbësor për garantimin e sigurisë afatgjatë të infrastrukturës.
Autoritetet bëjnë thirrje për mirëkuptim nga qytetarët, ndërsa pritet që ndërhyrjet të nisin menjëherë, me synimin për të rikthyer normalitetin në qarkullim dhe për të shmangur rrezikun e përsëritjes së situatës.



