back to top
28.5 C
Tirana
E martë, 1 Korrik, 2025
spot_img
KreuDrejtësiaArtur Metani: Drejtësia ka nevojë për magjistratë me integritet dhe përgjegjësi

Artur Metani: Drejtësia ka nevojë për magjistratë me integritet dhe përgjegjësi

Inspektori i Lartë i Drejtësisë, Artur Metani, ka dhënë një mesazh të fortë gjatë konferencës kombëtare “Dimensioni i integritetit në funksionin e magjistratit. Angazhimi ndaj drejtësisë”, ku u diskutua balanca delikate mes pavarësisë së magjistratëve dhe llogaridhënies publike në funksion të shtetit të së drejtës.

Në fjalën e tij, Metani theksoi se ndonëse pavarësia është thelbësore për funksionimin e drejtësisë, ajo nuk mund të ekzistojë pa mekanizma efektivë të kontrollit dhe llogaridhënies.

“Pa rregulla të qarta për kontrollin e pushtetit gjyqësor, rrezikojmë ta kthejmë magjistratin në një sovran të heshtur”, – deklaroi Metani, duke shtuar se rritja e kompetencave duhet të shoqërohet me përgjegjshmëri.

Ai e quajti Inspektorin e Lartë të Drejtësisë një hallkë kyçe në këtë ekuilibër, i cili nuk duhet parë si një mjet ndëshkimi, por si një mekanizëm edukimi dhe parandalimi, që ndihmon në ngritjen e një kulture të lartë etike dhe profesionale në gjyqësor.

“ILD po përpiqet të zbatojë standardet më të larta të procesit të rregullt ligjor dhe transparencës, për të mos u kthyer në një instrument presioni ndaj magjistratëve,” – tha Metani, duke shprehur angazhimin e institucionit që drejton për një drejtësi që funksionon mbi baza besimi dhe ndershmërie.

Metani ngriti alarmin për ndërhyrjet e drejtpërdrejta apo të tërthorta ndaj magjistratëve – nga politika, media apo konflikti i interesit – dhe theksoi se pa ndërtimin e një kulture institucionale që mbron pavarësinë, nuk mund të ketë drejtësi të qëndrueshme.

“Pavarësia nuk është privilegj personal i magjistratit, por një mjet në shërbim të qytetarit. Ndërkohë, llogaridhënia nuk është kufizim, por kusht për të ushtruar këtë pavarësi me përgjegjësi,” – theksoi ai.

Sipas Metanit, reforma në drejtësi nuk mjafton vetëm me ndryshime ligjore, por kërkon një transformim kulturor, ku drejtësia të jetë shërbim publik dhe jo mekanizëm i pushtetit.

Në përfundim të fjalës së tij, Metani theksoi se drejtësia në Shqipëri ka nevojë për profesionistë me integritet moral dhe përkushtim kushtetues, duke bërë thirrje për reflektim të thelluar dhe angazhim të përbashkët të të gjitha hallkave të sistemit të drejtësisë.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat