Kuvendi pritet të presë deri në fund të muajit aplikimet për pozicionin e Avokatit të Popullit, duke i dhënë mundësinë juristëve dhe aktivistëve të të drejtave të njeriut të konkurrojnë.
Një nga të parët që ka shprehur interes është avokati i njohur Saimir Vishaj, i cili njoftoi në rrjetet sociale se 52 deputetë nga PD dhe PS kanë firmosur për kandidaturën e tij.
“Mirënjohje për këta deputetë që firmosën për një kandidaturë nga shoqëria civile në këto 35 vite demokracie. Gjithmonë kam mbajtur vijën e prindërve të mi dhe asnjëherë nuk kemi marrë pjesë në ndonjë forcë politike, por kemi qenë të përkushtuar vetëm ndaj ligjit dhe legjislacionit në fuqi”, deklaroi Vishaj.
Ai prezantoi edhe platformën e tij për Avokat Populli, me moton:
“Askush nuk është mbi ligjin dhe barazinë gjinore.”
Saimir Vishaj thekson se synon të mbrojë qytetarin e thjeshtë të pambrojtur përballë administratës, duke garantuar drejtësi dhe respekt për ligjin, pavarësisht ndikimeve politike.
Zgjedhja e kreut të këtij institucioni, e cila vjen me 3 vjet vonesë, kërkon 84 vota në Kuvend, dhe në këtë rast, mbështetja e Partisë Socialiste është vendimtare për procesin e zgjedhjes.