Gjyqtari i Gjykatës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO), Erjon Çela, ka vendosur të rrëzojë kërkesën për përjashtimin e trupës gjykuese në procesin penal ndaj ish-kryeministrit Sali Berisha dhe dhëndrit të tij, Jamarbër Malltezi.
Kërkesa ishte depozituar nga avokatët mbrojtës të të pandehurve dhe kishte si objekt gjyqtarët Elsa Ulliri, Bib Ndreca dhe Rudina Palloj, të cilët aktualisht po shqyrtojnë çështjen që lidhet me privatizimin e ish-kompleksit “Partizani”.
Pas shqyrtimit të pretendimeve të palës mbrojtëse, gjyqtari Çela vendosi se nuk ekzistojnë rrethana që të justifikojnë përjashtimin e trupës, duke i hapur rrugë vazhdimit të procesit gjyqësor me të njëjtët gjyqtarë.
Berisha dhe Malltezi janë nën hetim për dyshime mbi abuzime në procesin e privatizimit të ish-pronës ushtarake, një çështje që ka ngjallur interes të madh publik dhe reagime politike.