back to top
4.5 C
Tirana
E diel, 18 Janar, 2026
spot_img
KreuDrejtësiaAtentati ndaj gjyqtarit/ Çfarë ka ndodhur me hetimet për ekzekutimin e Skerdilajd...

Atentati ndaj gjyqtarit/ Çfarë ka ndodhur me hetimet për ekzekutimin e Skerdilajd Konomit?

Familjarët e ish-gjyqtarit të Vlorës, Skerdilajd Konomi, kanë kërkuar rihapjen e hetimeve për vrasjen e tij, e ndodhur më 9 shtator 2011 në një atentat me tritol në qendër të qytetit. Ata shprehin shqetësimin se pas 14 vitesh, çështja mbetet e pazgjidhur dhe kërkojnë transparencë nga institucionet për arsyet e moszbardhjes së ngjarjes.

Hetimet

Hetimet fillestare u fokusuan në konfliktet e pronësisë, veçanërisht ato që lidhen me tokat e familjes Konomi në zonën e Gjirit të Lalzit, të cilat kishin vlerë të konsiderueshme ekonomike. Një nga rastet e njohura është ai i Raimond Mezit, i cili përfitoi 89 hektarë tokë në Zvërnec përmes një vendimi gjykate të vitit 2003, i cili u gjet se ishte falsifikuar, pasi në atë kohë Skerdilajd Konomi nuk ishte gjyqtar.

Në vitin 2019, Prokuroria e Krimeve të Rënda sekuestroi dosjen e pronave të pretenduara nga Konomi, duke sugjeruar se vrasja mund të ketë lidhje me këto konflikte pronësie.

Për vrasjen e tij, serial-killeri me pagesë, Julian Sinanaj, tha për prokurorët e Krimeve të Rënda, se porosia ka ardhur nga Durrësi, shkak i krimit makabër janë konfliktet e pronësisë në dy zona mjaft të lakmuara turistike.

Sipas dëshmisë së Sinanaj, ka qenë Adndon Mëhillaj ai që i ka treguar emrat e ekzekutorëve dhe porositësve të vrasjes së Konomit. Serial-killeri ka vazhduar me dëshminë e tij se pas vendosjes së eksplozivit në makinën e gjyqtarit, personat që përgatitën atentatin u larguan drejt Italisë një ditë para ngjarjes, për të patur dhe alibi, përballë hetimeve.

Megjithatë, pas disa kalimesh të çështjes mes institucioneve, hetimet janë pezulluar dhe nuk ka pasur zhvillime të mëtejshme.

Familjarët e Konomit theksojnë se ai nuk ishte i përfshirë në asnjë çështje korruptive, por u vra për shkak të guximit për të kërkuar të drejtën mbi pronat e tij familjare.

Ata bëjnë apel gjithashtu për mbrojtjen e gjyqtarëve dhe prokurorëve që veprojnë me ndershmëri dhe integritet.

Për 14 vjet, familja Konomi ka kërkuar drejtësi dhe zbardhjen e vrasjes së Skerdilajd Konomit, por deri tani nuk ka pasur rezultate konkrete. Ata shprehin shqetësimin se drejtësia shqiptare nuk ka guxuar të përballet me të vërtetën, sado e hidhur apo e rrezikshme të jetë ajo.

Ky rast mbetet një ndër ngjarjet më të bujshme të krimit të organizuar në Shqipëri, duke nxitur pyetje të shumta mbi ndikimin e grupeve mafioze në sistemin e drejtësisë dhe pasojat e tij për individët që kërkojnë të drejtat e tyre.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat