Kryeministri Edi Rama, gjatë një dëgjesë me banorët e Njësisë nr. 3 në Tiranë, komentoi atentatin e ndodhur dy ditë më parë pranë aeroportit të Rinasit, ku u vranë Gilmando Dani – krahu i djathtë i Emiljano Shullazit dhe oficeri i AMP-së, Muçi Shaljani, i njohur me nofkën “Sheqeri”.
Rama deklaroi se ngjarja do të ishte zbardhur menjëherë nëse në funksion do të ishte sistemi kombëtar i monitorimit me kamera inteligjente, një projekt që sipas tij është zvarritur për arsye burokratike.
“Me projektin e ri të monitorimit të qyteteve dhe rrugëve kombëtare me kamera inteligjente, që më në fund do të nisim ta zbatojmë, do të rritet siguria, pastërtia dhe kontrolli në shkolla. Nëse ky sistem do të ishte në këmbë, ngjarja e Rinasit do të ishte zbardhur në kohë reale,” – u shpreh Rama.
Ai shtoi se vlera e sistemit nuk qëndron vetëm te zbulimi i krimeve, por te parandalimi i tyre dhe i çdo shkeljeje që lidhet me rendin, qetësinë publike dhe qarkullimin rrugor.
“Brenda këtij mandati, jo vetëm që do e kemi këtë sistem, por do t’i shohim edhe përfitimet e tij,” – tha Kryeministri.



