Pikëpyetjet për përzgjedhjen e anëtarit të ri të Gjykatës Kushtetuese vazhdojnë. Top Channel ka siguruar audion dhe procesverbalin e mbledhjes së posaçme të Gjykatës së Lartë, më datë 30 shtator, ku ishin të pranishëm 15 anëtarë për të votuar kandidatët. Materialet nuk përputhen plotësisht, duke shtuar dyshimet mbi procesin e votimit.
Sipas dokumenteve, gjyqtari i Gjykatës së Lartë, Asim Vokshi, u shpall fitues me 6 vota, ndonëse Naureda Llagami mori 3 vota më shumë se ai. Njëra votë e Llagamit nuk u konsiderua e vlefshme, duke pamundësuar arritjen e kriterit 3/5 për emërimin.
Në procesverbal shihet mungesa e zbardhjes së plotë të audios me zërat kundërshtues të gjyqtarëve që nuk pranuan vlerësimin si të pavlefshëm të votës për Llagamin. Nuk u pasqyrua as ndërhyrja e kryetarit Sokol Sadushi, i cili kërkoi që vendimmarrja t’i lihej sekretarëve të komisionit.
Nga audio del diskutimi:
Anisa Kulo (kancelarja): “Komisioni e vlerëson të pavlefshme këtë fletë votimi… te numri 2 është bërë një shenjë tjetër përveç shenjës së votimit.”
Gjyqtarët: “E vlefshme, është po te numri 2 shenja.”
Sokol Sadushi: “Ju lutem, e ka komisioni fletën në dorë, asnjë nga anëtarët nuk ka të drejtë të konsultohet.”
Në padinë e saj pranë Gjykatës Administrative, Llagami kërkon pezullimin e vendimit dhe deklarimin e rezultatit në favor të saj, duke e konsideruar vendimmarrjen e Komisionit Teknik si procedurë të parregullt dhe jo të parashikuar nga ligji.
“Nëse ka dyshime për një votë të pavlefshme, çështja duhet t’i shtrohet Mbledhjes së Përgjithshme të Gjyqtarëve dhe të ketë një vendimmarrje të vetë gjyqtarëve,” thuhet në padinë e Llagamit.
Gjyqtarja argumenton se shënimi i bërë në fletën e saj të votimit është i qartë dhe nuk cënon zgjedhjen e asnjë kandidati tjetër, duke krahasuar situatën me standardet e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, ku votat me shenja të ngjashme konsiderohen të vlefshme.
Ky rast ngre pyetje serioze për integritetin e procesit të përzgjedhjes së anëtarëve të Kushtetueses, duke nxjerrë në pah tensionin midis formës dhe përmbajtjes, procedurës dhe ligjit, administratës dhe gjyqtarëve. Fjalën e fundit do ta ketë Gjykata Kushtetuese.