Ish-kandidati i Partisë Demokratike nga listat e hapura për zgjedhjet e 11 majit në qarkun e Durrësit, Aulon Kalaja, një nga më të votuarit, ka dhënë detaje mbi takimin e zhvilluar dje, të thirrur nga ish-deputeti Ervin Salianji.
Kalaja theksoi se qëllimi i mbledhjes nuk ishte krijimi i ndonjë fraksioni apo lëvizjeje brenda PD-së, por diskutimi për riorganizimin dhe riformimin e partisë, me synim forcimin e strukturave dhe përgatitjen për fitore në zgjedhje.
“Nuk kam shkuar as për parti politike, as fraksion, as për lëvizje partiake. Ka qenë një konfigurim i çuditshëm, janë ftuar më të votuarit e listës së hapur, ka qenë thirrje nga zoti Salianji për një diskutim dhe kafe në një nga hotelet e Tiranës,” deklaroi Kalaja për “News 24”.
Ai shtoi se qëllimi është ringritja e PD-së dhe jo ndarja e saj:
“Unë e kam thënë, PD ka nevojë për ringritje, forcim që të fitojë zgjedhjet, sepse e djathta qeveris më mirë se e majta. PD duhet të shkojë drejt një force konservatore. Unë shkoj edhe në takimet e tjera opozitare,” tha Kalaja.
Deklaratat e tij vijnë pas një debati të brendshëm mbi lëvizjet e fundit në PD, ku disa media raportuan për mundësi krijimi të fraksioneve brenda partisë. Kalaja e mohoi kategorikisht këtë, duke theksuar se çdo diskutim ishte pjesë e përpjekjeve për të forcuar strukturat dhe për të rikthyer PD-në në qeverisje.



