Sektori i biznesit në Maqedoninë e Veriut vazhdon të përballet me korrupsion, shkruan Alsat.
Bizneset dhe suksesi i tyre shpesh varet nga strukturat politike në pushtet pasi për të fituar grante apo mbështetje nga Qeveria, detyrohen të mbështesin politikat e pushtetit.
Drejtori i Transparency International, Bllagoja Pandovski u bën thirrje kompanive që të paraqesin tentimet për korrupsion dhe të mos heshtin.
“Shpesh jemi dëshmitarë se kompani të caktuara të cilat më herët kanë pasur “pozitë të mirë të biznesit” në shtet, me ndryshimin e pushtetit e kanë humbur atë e më pas ankohen. Mirëpo ajo që ata e kanë bërë dhe të tjerët që do të vijnë, duhet të pyeten pse ndodhë kjo dhe nëse ai ndikim që e folëm mes politikës dhe biznesi i cili është prezent por nuk është i dëshmuar, u ndihmon apo nuk u ndihmon”, tha Bllagoja Pandovski – Transparency International.
Kryetari i Odës Ekonomike, Branko Azeski, u ankua se për të çrrënjosur korrupsionin nga bizneset, mungojnë edhe njerëz edhe mjete. Bizneset jo se duan por shpesh janë të detyruar të bëhen viktimë e korrupsionit, shtoi Azeski.
Në indeksin e fundit për perceptim të korrupsionit, Maqedonia e Veriut u vlerësua me 42 pikë dhe ndodhet në vendin e 76-të.
Edhe pse kishte përmirësim në rangim, gjithsesi rezultati tregon se nevojiten aksione shtesë për luftë kundër korrupsionit.
Nga Oda Ekonomike konstatojnë se ndryshimet e fundit ligjore në kodin penal me çka u ulën dënimet për keqpërdorim të detyrës zyrtare, janë faktor dhe ndikojnë indirekt në veprimin e sektorit të biznesit./ Alsat.mk