Ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu, i cili përballet me drejtësinë si i pandehur në çështjen e shpërthimit të Gërdecit, ka kundërshtuar sot përpara Gjykatës së Posaçme përfundimet e akt-ekspertimit tekniko-ushtarak të paraqitura nga grupi i ekspertëve.
Në seancën gjyqësore, Mediu theksoi se urdhrat e Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë janë të qarta dhe tregojnë se transporti i municioneve nuk ishte përgjegjësi e Ministrit të Mbrojtjes. Sipas tij, në raste të mëparshme, këto operacione janë kryer nga Forcat e Armatosura, pa përfshirë vendimmarrje politike në aspektin teknik
“Sipas ligjit për buxhetin, fondet e dhëna nga donatorët për procesin e demontimit konsiderohen pjesë e buxhetit të Ministrisë së Mbrojtjes, pavarësisht nëse janë grante apo kredi,” – u shpreh Mediu, duke theksuar se ai nuk ka pasur ndikim në çështjet operacionale si transporti apo logjistika ushtarake.