back to top
14.5 C
Tirana
E mërkurë, 15 Tetor, 2025
spot_img
KreuDrejtësiaAvokatët e Veliajt: Proces i padrejtë dhe akuza të pabazuara

Avokatët e Veliajt: Proces i padrejtë dhe akuza të pabazuara

Pas vendimit të SPAK-ut për të dërguar në gjykim çështjen ndaj kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, kanë reaguar avokatët mbrojtës të tij me një deklaratë publike, duke e cilësuar procesin si të padrejtë dhe të mbështetur mbi shkelje të rënda ligjore.

Sipas mbrojtjes, hetimi ka nisur mbi një kallëzim anonim dhe të falsifikuar, është zgjatur për muaj të tërë pa autorizim ligjor, ndërsa provat e përdorura janë mbledhur në mënyrë të paligjshme. Ata theksuan se ky proces ka cenuar të drejtën për mbrojtje dhe është ndërtuar për të krijuar perceptime negative ndaj Veliajt në opinionin publik.

“Deklarata e SPAK-ut është hartuar për të paragjykuar maksimalisht kryebashkiakun e Tiranës, duke cenuar parimin e prezumimit të pafajësisë,” – u shprehën avokatët.

Ata e cilësojnë masën e sigurisë ndaj Veliajt si të jashtëzakonshme dhe disproporcionale, duke kujtuar se ai vijon të ushtrojë një mandat kushtetues të mbështetur nga mbi 160 mijë qytetarë të Tiranës.

Mbrojtja deklaron se është e vendosur të rrëzojë çdo akuzë “rresht pas rreshti” gjatë procesit gjyqësor.

Deklaratë për shtyp e avokatëve të z. Erion Veliaj

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj vazhdon t’i mohojë kategorikisht të gjitha akuzat për shkelje, ashtu siç ka bërë që prej fillimit të hetimit, dy vite më parë.

Në asnjë faqe të kërkesës për gjykim nuk provohet:

• asnjë lidhje midis veprimtarisë së tij si Kryetar i Bashkisë dhe ndonjë privilegj të paligjshëm për ndonjë subjekt privat;
• asnjë abuzim me detyrën publike që i është besuar për tre mandate nga qytetarët e Tiranës;
• dhe mbi të gjitha:
Asnjë provë
Asnjë fakt
Asnjë dokument

Përkundër përshtypjeve që synon të krijojë deklarata e SPAK-ut, asnjë gjyqtar paraprak apo gjykatë nuk ka shqyrtuar ende ndonjë nga akuzat apo ndonjë provë në mbështetje të tyre.

Ne jemi të shqetësuar nga shpërfillja e normave bazë që udhëheqin zhvillimin e hetimeve dhe ndjekjeve të ngjashme penale në një sistem drejtësie demokratik. Asnjë hetues apo prokuror i pjekur dhe i përgjegjshëm, që është i ndërgjegjshëm për rolin e tij në procesin e drejtësisë, nuk duhet të bëjë deklarata të kësaj natyre. Kjo nuk është vetëm në kundërshtim të plotë me prezumimin e pafajësisë, por në rastin më të mirë tregon një keqkuptim themelor, ose në rastin më të keq, një shpërfillje totale të parimeve themelore të drejtësisë penale.

Thënë thjesht, nëse një prokuror e ka “provuar” një çështje kundër një të pandehuri sipas standardit të kërkuar, është një çështje që i takon vetëm gjykatës së shqyrtimit. Deklarata publike e SPAK-ut duket se është hartuar për të shkaktuar paragjykimin maksimal ndaj z. Veliaj, si në opinionin publik, ashtu edhe në çdo gjykatë. Kjo sjellje është në përputhje me veprimet e SPAK-ut gjatë gjithë hetimit, ku kanë ndodhur shkelje të përsëritura, sistematike dhe të rënda të procesit të rregullt ligjor.

Ky është një proces që:

• ka nisur mbi një kallëzim anonim dhe të falsifikuar;
• është zhvilluar për një periudhë prej të paktën 7 muaj, pa asnjë autorizim të vlefshëm ligjor;
• është mbështetur në hapje të korespondecave private pa autorizim të gjykatës dhe parashikim të ligjit;
• ka përfshirë deklarime vetëinkriminuese të marra nën presion;
• është drejtuar nga një individ që nuk ka qenë asnjëherë prokuror ligjërisht i Republikës;
• ka shkelur në mënyrë flagrante afatet hetimore të përcaktuara nga ligji;
• ka mohuar brutalisht të drejtën e mbrojtjes dhe kundërshtimeve ndaj hetimit.

Z. Veliaj i është caktuar një masë sigurimi e jashtëzakonshme dhe krejtësisht disproporcionale, në një kohë kur është në ushtrim të një mandati kushtetues si Kryetar i zgjedhur i Bashkisë Tiranë, me mbështetjen e 160 mijë qytetarëve që i besuan drejtimin e qytetit më të madh shqipfolës.

Ne si përfaqësues ligjorë të z. Veliaj mbetemi të vendosur të çmontojmë, rresht pas rreshti, çdo pretendim të ngritur mbi këtë proces të montuar me shkelje. Jo vetëm për të mbrojtur qytetarin e parë të Tiranës, që ka ushtruar funksionin e tij me përgjegjësi kushtetuese dhe devocion, por për të mbrojtur vetë besimin e qytetarëve te drejtësia dhe rendi kushtetues.

Çdo rresht i asaj kërkese të nisur në gjykatë, do të çmontohet po aty dhe bazuar në ligj.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat