Kreu i Dhomës së Avokatisë, Maks Haxhia, ka reaguar këtë të martë lidhur me bojkotin e avokatëve, pas arrestimit të kolegut të tij, Ulian Bajrami, në Elbasan. Edhe pse Bajrami u lirua pasditen e djeshme, Haxhia njofton se bojkoti do të vijojë deri më 25 tetor.
Në një deklaratë për mediat, Haxhia shprehu shqetësimin e tij për trajtimin e çështjes nga Prokuroria e Juridiksionit të Përgjithshëm në Elbasan, duke theksuar se ajo nuk ka dërguar çështjen te prokuroria më e afërt sipas detyrimeve ligjore.
“Jam shumë i shqetësuar me trajtimin e çështjes akoma nga organi i Prokurorisë së Juridiksionit të Përgjithshëm në Elbasan, që e mban çështjen dhe nuk e çon në prokurorinë më të afërt sipas detyrimeve ligjore. Prokuroria e Elbasanit nuk zbaton ligjin. Është absurditet të mendosh që po shtyhet disa ditë bojkoti dhe u fitua çështja apo u pengua. Kupa është mbushur,” tha Haxhia.
Ai paralajmëroi se nëse situata nuk ndryshon, bojkoti mund të zgjerohet dhe të vijojë për muaj, duke prekur të gjitha proceset gjyqësore:
“Dhe, nëse ka një rast të tillë më tepër nga organet drejtuese të sistemit gjyqësor, ju garantoj që do të abstenohen të gjitha proceset, jo për një kohë, jo për një ditë, jo për një javë, por për muaj. U bëj thirrje atyre që po merren me trajtimin e analizës së reformës në drejtësi të rishikojnë të gjitha strukturat e miratuara,” përfundoi Haxhia.



