Avokati i ish-Presidentit Ilir Meta, Kujtim Cakrani, ka komentuar vendimin e Apelit të Gjykatës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) që la në fuqi masën e sigurisë “arrest me burg” ndaj klientit të tij.
Në një deklaratë për media, Cakrani tha se Meta po mbahet në kushte persekutimi politik dhe se është e paprecedentë që një President i Republikës të qëndrojë në paraburgim për 9 muaj pa përfunduar hetimet.
“Unë i fola gjykatës. Ilir Meta ndodhet në kushtet e një persekutimi politik, ku i janë mohuar të drejtat elementare, si ushtrimi i telefonatave me kolegët, anëtarët e Kryesisë apo familjen e tij,” tha avokati.
Ai theksoi se Meta është një individ i fortë, i cili do të përballet me të gjithë dhe nuk mposhtet kollaj.
“Meta është aty dhe do të vazhdojë të përballet me këta,” përfundoi Cakrani.
Ilir Meta ndodhet në paraburgim që prej 21 tetorit 2024, ndërsa Apeli i GJKKO-së konfirmoi sot masën e sigurisë “arrest me burg”, duke refuzuar kërkesën e mbrojtjes për masa më të buta.