Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka komentuar këtë të mërkurë vendimin e PD-së për të tërhequr firmat nga procesi i zgjedhjes së Avokatit të Popullit, duke shpjeguar arsyet dhe duke sulmuar qeverinë për manipulim.
Berisha pranoi se mbështetja fillestare me firma për disa kandidatura, përfshirë edhe Endri Shabanin, ishte një gabim, dhe se për këtë arsye PD tërhoqi firmat zyrtarisht. Ai sqaroi se në mbledhjen e grupit parlamentar të PD-së u përcaktua lista e kandidatëve që partia do të mbështeste, ku nuk përfshihej Shabani.
“PD i hoqi mbështetjen zotërisë dhe ata që kanë firmosur tërhoqën propozimin. Kjo është e vërteta,” tha Berisha. Ai akuzoi gjithashtu qeverinë se po përdor procesin për të favorizuar kandidatin që ajo dëshiron.
Berisha shtoi se PS ka tentuar të përfitojë nga opozita duke vendosur kandidaturat sipas interesave të saj, ndërsa PD nuk do të lejojë që të bëhet pjesë e lojërave të Edi Ramës.
“Me opozitën që do ne nuk do jemi kurrë, ne do jemi opozitë e sovranit. Besoj se është e drejtë kjo dhe është interesi i të gjithëve,” theksoi Berisha.
Deklarata e tij vjen në një moment kur zgjedhja e Avokatit të Popullit po shihet nga opozita si një proces i influencuar politikisht nga mazhoranca, ndërsa debate për kandidaturën e Shabanit janë intensifikuar në publik dhe media.



